ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 15:15 Oxygen ® *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:15 Oxygen ® - Vazhdimi *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:40 Serial Për femijë " Little Chearlies Bear " . Epis 13, 14, 15 *** 20:15 N'darkë *** 21:30 Sporti Total *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Hijet kineze

Publikuar: 06.05.2012 - 22:20


Represioni i vazhdueshëm kinez nuk e mbron komunizmin, e lë edhe pak atë që ka mbetur nga maoizmi. Përkundrazi, ka për qëllim të mbrojë kapitalizmin e Partisë Komuniste të Kinës. Kjo mund të jetë arsyeja pse Bo është rrëzuar dhe, padyshim, ajo pse disidentët si Chen, si dhe familja e tij duhet të vuajnë aq shumë saqë strehimi në një ambasadë të huaj është opsioni i tyre më i fundit dëshpërimi

New York – Kina po kalon nëpër një etapë interesante. Një zyrtar i lartë i Partisë Komuniste, Bo Xilai, është shkarkuar – i akuzuar për shkeljet që përfshijnë përgjimet e bosëve të partive të tjera, si për shembull presidentin Hu Jintao – derisa bashkëshortja e tij po hetohet për rolin e saj të mundshëm në vrasjen e një biznesmeni britanik. Ndërkohë një aktivist i verbër i të drejtave njerëzore ka ikur nga arresti ilegal shtëpiak, gjen strehim në Ambasadën amerikane në Pekin dhe e braktis ndërtesën, pasi pretendon se autoritetet kineze në vendlindjen e tij ia kishin kërcënuar familjen.

Me gjithë mbulimint shterues medial të këtyre ngjarjeve, është befasues fakti se sa pak dimë ne në të vërtetë.

Kufoma e biznesmenit britanik pretendohet të ishte djegur, para se të kryhej ndonjë autopsi. 

Asnjë prej tregimeve fascinuese rreth bashkëshortes së Bosë nuk janë dëshmuar. Ndërsa shkaqet e turpërimit politik të bashkëshortit të saj mbesin të mjegullta, në versionin më të butë të fjalës.

Gjërat gjithnjë dalin të jenë tejet interesante në Kinë para mbajtjes së Kongresit të Partisë Kombëtare, ku emërohen liderët e ardhshëm të Partisë. Ndryshimet e lidershipit në demokracitë më të mëdha të botës bëhen kryesisht me procese transparente; për të pasuar me zgjedhje kombëtare. Për të qenë të sigurt, madje edhe demokracitë e hapura kanë nga një dozë padepërtueshmërie dhe vendimmarrjesh nëpër takime prapa dyerve të mbyllura. Kjo gjë është veçanërisht e vërtetë për shtetet e Azisë Lindore, si Japonia.

Mirëpo në Kinë çdo gjë ndodh larg syve. Për shkak se liderët nuk mund të shkarkohen nëpërmjet zgjedhjeve, mënyra të tjera duhet të gjenden për të zgjidhur konfliktet politike. Ndonjëherë, mënyrat e zgjedhura shkaktojnë spektakle të paramenduara publike.

Shkarkimi i Bo, ish-lider i partisë së Chongqing, pa dyshim se i takon kësaj kategorie.

Si një popull i pashëm dhe karizmatik i lindur në elitën partiake, Bo njihej si një zyrtar i vështirë, metodat e të cilit për luftimin e krimit të organizuar – dhe i të tjerëve që ndoqën rrugën e tij – shpeshherë ishin të pafrenueshme nga ligji. Ish-shefi i policisë i Bosë, i cili thuhet se i kishte kryer punët e ndyra, turpëroi Partinë duke ikur në Konsullatën amerikane në Chengdu gjatë muajit shkurt, pasi u përjashtua bashkë me shefin e tij. Me gjithë nostalgjisë së Bosë për retorikën maoiste, ai është dukshëm më i pasur. Stili i kushtueshëm i jetesës i të birit të tij, si student në Oxford dhe Harvard, ishte përshkruar si një detaj bujar në shtyp.

Me fjalë të tjera, Bo i bartte të gjitha shenjat e një bosi gangster: i korruptuar, i pamëshirshëm ndaj armiqve, përbuzës ndaj ligjit dhe moralist në vetëprezantim. Mirëpo e njëjta mund të thuhet për shumicën e bosëve të Partisë në Kinë. Ata të gjithë kanë më shumë para sesa mund të shpjegohet, bazuar në pagat e tyre zyrtare. Shumica i kanë fëmijët duke studiuar nëpër universitete të kushtueshme britanike apo amerikane. Të gjithë sillen sikur janë mbi ligjet që i “godasin” qytetarët e thjeshtë.

Ajo që ishte e pazakontë rreth Bosë ishte ambicia e tij e hapur. Bosët e partive kineze, sikurse politikanët japonezë – apo në fakt, zotërinjtë e mafies – supozohet të jenë diskretë në oreksin e tyre për pushtet.

Bo sillej më shumë si një politikan amerikan. I pëlqente të vërë peshën e tij në publik. E kjo gjë ishte e mjaftueshme të mërzisë bosët e tjerë partiakë.

Pasi që rivaliteti fraksional përbrenda Partisë nuk mund të përballet në mënyrë diskrete, disa prej kolegëve të Bosë ndien se ai duhet të shkojë. Mënyra, sipas së cilës bosët e partisë në Kinë, por edhe në Japoni i heqin qafe rivalët e bezdisshëm është ajo që t’i bëjnë pre të skandaleve publike, që në mënyra misterioze rrjedhin në publik, për të ndezur ithtarët.

Shfaqja e një bashkëshorteje të ligë në skandalet publike kineze është një fenomen i zakonshëm. Kur Mao Zedong spastroi bosin e tij më të madh të Partisë, Liu Shaoqi, gjatë Revolucionit Kulturor, bashkëshortja e Lius kishte bërë paradë nëpër rrugë, duke bartur topa ping-pongu përreth qafës si një simbol i dekadencës së ligë dhe ekstravagancës. Pasi vetë Mao vdiq, bashkëshortja e tij, Jiang Qing, u arrestua dhe u prezantua si një Zonjë Macbeth e Kinës. Ka të ngjarë që akuzat për vrasje kundër bashkëshortes së Bosë, Gu Kailai, janë pjesë e një teatri të tillë politik.

Në fakt, rënia e Bo nga pushti përfshin jo vetëm bashkëshorten e tij, por edhe të gjithë familjen. Kjo, po ashtu, është një traditë kineze. Familja duhet të marrë përgjegjësinë për krimet e një anëtari.

Kur ai individ bie, edhe ata duhet të shkojnë. Në anën tjetër, kur ai kalëron lart, ata përfitojnë, siç ishte me rastin e shumë familjarëve të Bosë dhe bashkëshortes së tij, bizneset e të cilëve lulëzuan derisa ai ishte në pushtet.

Ka pasur një mori spekulimesh rreth pasojave të rënies së Bosë dhe të ikjes së guximshme të aktivistit, Chen Guangcheng, pas 18 muajsh arrest shtëpiak. A do të lëndojë udhëtimi i tij në Ambasadën amerikane qëndrimet e liderëve të Kinës? A do ta detyrojë kjo gjë SHBA-në që të ndërmarrë qëndrim më të ashpër për të drejtat njerëzore në Kinë? Nëse po, çfarë do të pasojë?

Pasi Bo e paraqet veten si një kritik popullit i kapitalizmit modern kinez dhe një promovues autoritar i etikës maoiste, armiqtë e tij natyralë në lidershipin e Partisë do të duken si bosë më “liberalë”, të cilët favorizojnë kapitalizmin e tregut të lirë dhe mbase edhe disa reforma politike. Kryeministri aktual, Wen Jiabao, do të duket si lider i këtij fraksioni. Ai ka mbajtur fjalime rreth nevojës për reforma demokratike dhe ka qenë haptazi kritik ndaj Bosë. Chen i kërkoi që të hetojë abuzimet kundër tij dhe familjes së tij.

Prandaj a do të çojë rënia e Bosë drejt një shoqërie më të hapur, më pak armiqësore për zërat disidentë? A është e mundur që komunistët kinezë, të cilët favorizojnë liberalizmin ekonomik, do të jenë më respektues ndaj shoqërisë më të hapur? Por edhe e kundërta mund të ndodhë po ashtu: dallime më të thella për pasurinë dhe protesta të tjera popullore kundër pabarazisë ekonomike, shtypje më e madhe e regjimit ndaj disidentëve.

Një represion i tillë nuk mbron komunizmin, e lënë edhe pak atë që ka mbetur nga maoizmi. Përkundrazi, ka për qëllim të mbrojë kapitalizmin e Partisë Komuniste të Kinës. Kjo mund të jetë arsyeja pse Bo është rrëzuar dhe, padyshim, ajo pse disidentët si Chen, si dhe familja e tij, duhet të vuajnë aq shumë saqë strehimi në një ambasadë të huaj është opsioni i tyre më i fundit dëshpërimi.



(Ian Buruma është profesor i demokracisë dhe të drejtave njerëzore në kolegjin Bard dhe autor i librit “Zbutja e perëndive: Feja dhe demokracia në tri kontinente”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”). 

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 19°CI kthjellėt
Tiranė 19°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 18°CI kthjellėt
Prishtinė26°CMe diell
Tiranė25°CMe diell
Shkup30°CMe diell