Lëkurëtrashët
Flaka Surroi
Kjo ishte java e parë në të cilën bile për një ditë u kursyem nga gafat dhe ironizimet e pushtetarëve tanë... së paku nuk u morëm me to, sepse edhe kur po i trajtojmë, ato nuk po u lënë përshtypje, sepse u është trashur lëkura...
Java nisi me një reagim as të pjekur e as të mençur të Zyrës së kryetares Jahjaga ndaj raportimit në KTV për injorimin që i bëri shënimit të Ditës së të Pagjeturve, duke marrë pjesë në ballon vjeneze. Në të thuhej se ...protokolli kishte lajmëruar me kohë se ajo nuk do të mund të merrte pjesë në përkujtimin dhe në vënien e gurit themeltar në Kompleksin Memorial në Mejë (...) dhe se FSK-ja ishte njoftuar me kohë se nuk do të mund të merrte pjesë në ushtrimin fushor Shqiponja 1.
Është shumë mirë që protokolli të ketë lajmëruar për mosardhjen e saj, po tregon se ky segment i zyrës së saj po punon. Por është shumë keq që ajo nuk gjeti kohë për të shkuar në Mejë. Nuk është mirë që nuk gjeti kohë as për të dhënë një porosi për Ditën kombëtare të të pagjeturve. Sepse për këtë punë nuk i nevojiten këshilltarët e as mendimi i tyre është punë ndërgjegjeje dhe fundja edhe obligimi ndaj qytetarëve, të cilët, falë zarfit, i përfaqëson dhe në emër të të cilëve flet. Dhe nuk mjafton që ta përmbyllë këtë çështje duke na treguar se çështjen e të të pagjeturve kryetarja e ka pasur në agjendën e saj që nga fillimi i mandatit dhe se organizimi i ballos vjeneze ka pasur qëllim humanitar për Klinikën e Pediatrisë të QKUK-së. E posaçërisht me këtë të fundit. Unë nuk di se si e ka ndier ajo veten kur është prezantuar çeku prej 3 mijë eurosh si donacion i një banke dhe ndoshta i ndonjë pjesëmarrësi, që ishte rezultati i gjithë atij aktiviteti humanitar... Tre mijë euro ka mundur ti nxirrte prej cilësdo linjë buxhetore cilido institucion i Kosovës, po qe se kjo do ta zgjidhte problemin e Pediatrisë.
Është evidente metamorfoza e saj brenda dymbëdhjetë muajve. Prej një personi modest, që ruhej nga prononcimet publike edhe për shkak të mungesës së përvojës e edhe për shkak të frikës nga përgjegjësia, është shndërruar në një grua me fustane e kostume shumë, që i lexon letrat mbi tavolinë sa herë jep intervista, ani që përpiqet ta kamuflojë atë me lëvizjen e qafës nga njëra në anën tjetër. Është grua që ka filluar të mishërohet me titullin që mban, sepse nuk ka asnjë fjalim të vetëm publik që nuk ia nis me unë, si presidente e Kosovës..., ani që është në gjendje të bëjë edhe gafa të llojit të ballos. Vjet, në javët e para të mandatit, e veshur me një kostum modest, kishte shkuar në Mejë, duke ngjallur simpatinë dhe admirimin për një gjest përplot respekt për ata që nuk janë. Sivjet, me një fustan të zi dantelle, zgjodhi ti injoronte familjarët e atyre që nuk janë e të shndërrohej në dëshmitare të faljes së tre mijë eurove të shkreta për një klinikë të QKUK-së. Jo tre mijë, por as tridhjetë mijë euro nuk mund ta lajnë gabimin që e ka bërë. Gabim të cilin e bëri edhe më të theksuar në çastin kur nuk e pranoi kritikën që ia bënë gazetarët. Atyre zgjodhi tua tregojë autoritetin, duke ua shpjeguar se ata nuk i kuptojnë punët e shtetit.
Fakti është se gazetarët vërtet nuk i kuptojnë punët e shtetit. Kjo ngase ishin gazetarët ata të cilët e zbuluan, të nesërmen pas këtij reagimi të kotë të zyrës së saj, se kryetarja as që ishte pyetur fare për marrëveshjen që ishte arritur që të mbaheshin zgjedhjet serbe në Kosovë. Ishin gazetarët tanë që e shpalosën se BE-ja kishte ndërmjetësuar për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, nën mbikëqyrjen e OSBE-së dhe se për një gjë të tillë ishte nënshkruar një marrëveshje ndërmjet OSBE-së dhe Serbisë. Serbia kishte refuzuar të nënshkruante dokument ku do të kishte nënshkrim Kosove, kurse Kosova kishte pranuar që me këtë rast ta përfaqësonte OSBE-ja. Për më keq, kishte pranuar që zgjedhjet megjithatë të mbaheshin në Kosovë, ani që Serbia për kush e di të satën herë e injoroi dhe e poshtëroi sërish duke u treguar zyrtarëve tanë se Serbia nuk na njeh si shtet, siç kanë qejf të na e thonë kot së koti.
Zgjedhjet do të mbahen me dokumente të Serbisë dhe me siguri jo në një apo disa ndërtesa (që do të shërbenin si zëvendësim i një ambasade dhe ca konsullatave), por nëpër vendvotimet e rregullta. Për sigurinë do të përkujdesen policët serbë të Policisë së Kosovës, që nuk janë nën kontrollin e MPB-së, Policia e EULEX-it dhe KFOR-i, kurse ne do të jemi statistët e edicionit të pestë a të gjashtë të zgjedhjeve serbe në territor të Kosovës që nuk kanë bazë ligjore dhe, në esencë, e shkelin Kushtetutën, për shkak se e shkelin sovranitetin tonë.
Duhet theksuar se gjasat janë se do të mbahen edhe zgjedhjet lokale të Serbisë dhe nuk ka kush ti ndalë ato. E as fakti se OSBE-ja do të tërhiqet nga organizimi nuk do të thotë gjë, ngase serbët tashmë i kanë edhe mekanizmat e edhe mjetet për mbajtjen e zgjedhjeve serbe, me apo pa OSBE-në, sepse tashmë i kanë organizuar sa herë pa ndihmën e askujt. Dhe të kota janë deklaratat e zyrtarëve vendës e ndërkombëtarë se zgjedhjet lokale serbe nuk do të kenë efekte juridike, sepse në fund, mu këta zyrtarë do ti pranojnë ata zyrtarë ilegalë si bashkëbisedues për çfarëdo qoftë që duhet biseduar në të ardhmen.
Në këtë kontekst, mbase duhet kujtuar se çfarë ka thënë kryetarja një javë para kësaj marrëveshjeje, në takim me Feithin: ... në takimin me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Jahjaga deklaroi se zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë dhe çfarëdo zgjedhjesh të një shteti tjetër nuk mund dhe nuk do të organizohen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë. Është evidente se kemi njerëz që dinë se çfarë janë punët e shtetit dhe si duhet menaxhuar ato... dhe si duhet heshtur para disa gafave e si duhet reaguar ndaj të tjerave.
Nga mesi i javës erdhi një ditë që do të mbetet e shënuar në analet e gazetarisë kosovare dita kur nuk u dëgjua asnjë zë i dalë nga institucionet, për shkak se gazetarët kishin vendosur ti bojkotonin aktivitetet e institucioneve në shenjë proteste për miratimin e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal të Kosovës. Në fakt, kishin vendosur ti bojkotonin raportimet për aktivitetet e tyre, por jo edhe të vëzhgonin se çfarë po bënin, ngase mund të kishte vendime që do të mund të ndikonin në jetën e kosovarëve. Dhe ishte një ditë që kaloi pa gafa politike, pa denoncime, prononcime dhe përgënjeshtrime... dhe mbi të gjitha, pa cinizmin e zyrtarëve, posaçërisht të ekzekutivit, që duket se atë e kanë përshkrim të vendit të punës. Së paku nuk u morëm me to, sepse edhe kur po i trajtojmë, ato nuk po u lënë përshtypje, sepse këtyre u është trashur lëkura...
Çështja e ligjit mbase do të përfundojë sërish në Kuvend, mbase me nismë të kryetares, e ndoshta me nismë të deputetëve të PDK-së që ta amendamentojnë Kodin, të cilin vetë e kaluan me shumicën e tyre në Kuvend, por kryesisht duke iu falënderuar dy faktorëve: kohezionit të gazetarëve të cilët me argumente insistonin për të shpalosur se pse këto nene janë të dëmshme për shoqërinë kosovare, dhe përfaqësuesve diplomatikë të shteteve anëtare të BE-së që dëshmuan të kishin shumë vesh për të dëgjuar dhe për tu përmbajtur nga deklarata përkrahëse për miratimin e një ligji që e shkel rregullativën evropiane për të drejtat e njeriut. Do ti mbetet Kuvendit të vendosë përfundimisht se çfarë do të bëjë me këtë kod, ani që qysh tash duket e qartë se instruksionet që do tu jepen grupeve parlamentare të koalicionit do të jenë në favor të ndryshimit të Kodit Penal. E mbase kësaj radhe do të mund të llogarisim se edhe deputetët e opozitës që votuan në favor të këtij ligji, do të pranojnë se kanë gabuar kur kanë vendosur ta përkrahin tekstin ligjor çfarë e kanë miratuar.
Java përfundoi me dy ngjarje që nuk kanë lidhje njëra me tjetrën, por që mua më lanë përshtypje dhe të cilat dua ti ndaj me ju. E para ishte formimi i Task Forcës për Integrime Evropiane, që me shpejtësi dhe automatizëm shkaktoi reagimin e komentuesve në rrjete sociale: Ishalla kjo Task Forcë nuk e ka fatin e asaj për luftimin e krimit dhe korrupsionit ku shefi i saj përfundoi në paraburgim për dyshime se është i korruptuar. Përderisa kjo është një shprehje e sentimentit tashmë të ngulitur te shumë njerëz, që janë të pakënaqur me atë se si shkojnë punët në Kosovë, atë duhet kuptuar si një porosi drejtuar zyrtarëve se trupat që formohen duhet të funksionojnë përnjëmend dhe të jenë të efektshme. Se çfarë do të sjellë kjo Task Forcë do ta shohim në muajt në vijim.
E dyta ishte një ngjarje në Gjakovë, në mëhallën Mulla Jusuf, e që ndërlidhet me një vendim të kryetarit të Komunës së Gjakovës. Sipas këtij vendimi, ishte miratuar kërkesa e familjes së një dëshmori nga Smolica e Gjakovës që ti ngrihej lapidari në sheshin e lagjes. Asgjë e jashtëzakonshme (meqë qytetet na janë mbushur lapidare e përmendore socrealiste të dëshmorëve individualë), po të mos ishte se lokacioni ku ka nisur ndërtimi është një lagje që ka regjistruar madje 107 civilë e ushtarë të UÇK-së të vrarë gjatë luftës së fundit. Sipas banorëve të lagjes, kërkesa për lejen e ndërtimit të monumentit i kishte shkuar Komunës që në vitin 2008, por që askush nuk ishte marrë me atë punë. Tash, përnjëherë, është marrë vendimi që aty të ngrihet lapidari për një ushtar të vrarë, e që vetëm pas protestës së banorëve të lagjes atyre tu ofrohet lokacioni përballë. E me të edhe ndihma financiare për ta ngrehur.
Në një situatë absurde, po qe se shkohet përpara me këto projekte, lagjja do ti ketë dy lapidarë të përballuar me pesha të ndryshme (në njërën anë 107 viktima të mëhallës, në tjetrën një ushtar nga Smolica), për të dëshmuar se sa vështirë e kanë kosovarët ta pranojnë gabimin dhe që atë ta përmirësojnë. Kryetari i Komunës thotë se vendimin e ka marrë vetë dhe se ai nuk mund të prishet. E qasjen e ka të gabueshme, sepse vendimin mund tia prishë edhe Kuvendi Komunal, e mbi të gjitha do të duhej tia prishte ndërgjegjja sepse me gjithë respektin për dëshmorin, për flijimin e tij dhe për familjen që do ta lërë një kujtim për të birin e tyre, megjithatë, e besoj se lapidari do të duhej tu ngrihej banorëve të mëhallës, të cilët u vranë nëpër shtëpitë e tyre ose u pushkatuan rrugës për te ura. Për më tepër, shumë e besoj se edhe partia e kryetarit të Komunës që e bën shumicën në KK, e që përbëhet edhe nga luftëtarë e edhe nga njerëz që kanë pasur viktima gjatë luftës, do të duhej të dilte me një qëndrim që do ta paqësonte situatën dhe ta evitonte pikën e vlimit që do të mund të përshkallëzonte me kërcënime, sharje dhe ofendime aty ku definitivisht nuk do të duhej të kishte vend për to.
Vendimi i këtillë dhe absurdi i krijuar janë pasojë e drejtpërdrejtë e injorimit institucional të përshkruar në hyrje të kësaj kolumne. Po të kishte pasur qëndrim të bashkërenditur, mbase do të shkohej me ndërtimin e nga një përmendoreje në secilin qytet për nder të të gjitha viktimave të luftës, që do të nderoheshin në një ditë përkujtimore, ashtu siç e kërkon protokolli. Kështu, madje edhe në dhembje ia dalim të krijojmë ndasi. E kjo me siguri nuk ka qenë ajo për çka kanë vdekur ata, të cilët sot bëhen objekt lufte politike dhe imponimi autoriteti e pushteti aty ku nuk duhet.
flaka@koha.net


pejonja07.05.2012/13:15
Je shum e madhe Flaka.Derisa populli flen, ne skena kemi mafioz dhe zarfist si hashimi dhe jahjaga,nese zgjohemi nga ky gjum i thell,duhet te na prin njerzit si ju profesionist dhe te ecim perpara.

xhevdeti07.05.2012/12:46
Keta lekure trash te Qeverise veshtire e kane ta kuptoine tekstin e shkruar zonja Flake.Ketyre lekurtrasheve te Qeverise duhet me pak fjale me ia perplas fetyres por edhe ateher se besoi qe dota kuptoine,keta u pa se per marre se kane dert edhe per fetyre jo, me rendesi per ta eshte mbushja e xhepave,ahengjet neper ballo dhe restorante me dreka darka ,ku ka perta kesi sefaje duke shetitur me gjipa ne kurriz te ketije populli te pambrojtur etj.etj......

Hyseni07.05.2012/11:18
Flaka je e madhe.

Ylli07.05.2012/00:05
Ne Kosove udheheqin banditet dhe kriminelet, me ne krye Hashim Thaqin. Populli eshte i frikesuar nga keta kriminele, prandaj ka zgjedhur te heshte perballe fyerjeve qe po i behen çdo dite. Vetem nje beme shume e madhe do te mund ta zgjon popullin nga kjo amulli. Ndoshta vetem atehere kur policet dhe ushtaret serbe do te patrullojne rrugeve te Prishtines.

Idriz Maqastena06.05.2012/23:04
NUK GJETI KOH KRYETARJA ME SHKUE NE MEJE. UNE KET KRYETARE ASPAK NUK E DUA E AS NUK E QMOJ. NGASE PARAQET VETEM NJI FIGUR KUKULL. POR, SEEE NUK KA SHKUE NE MEJE MIR JA KA BA. SEEE AS NJI FIGUR E LART DHE NE ASNJI VEND NUK OBLIGOHET ASKUND NE DYNJA QE TE SHOJ ATY KU FILLOJN ME U NDERTUE MEMORIJALA. NGASE ME SIGURI MERREN ME PUN TE NJI INTELEKTI MA TE LART SESA QE NDODH TEK NEVE NE KOSOV. NE TE CILEN NEVE NE INSTITUCIONE CIVILE NA UDHEHEQIN NJEREZ LUFTARAK E POLIC, DERISA NE POLICI NA UDHEHEQIN MJEKET, AMBASADORT I QOJNA TE PA SHKOLLT. ME RESPEKT.

Krenar bytyqi06.05.2012/22:08
Te Lumte Flaka,jemi bere njejte me deklaratat bombastike te qeveris e ne veqanti te Bajram Regjepit dhe Presidentes,por nuk e di se qysh munden ne secilen dite ti nderrojne deklaratat qfar turpi.E nuk e di edhe qka duhet te ndodh qe nje minister i brendeshem duhet te jepe doreheqje ku nuk qendron as edhe nje here pas deklaratav qe i jep vete.Esht vrar Haradinaj ne veri po jo vetem aje po e gjithe familja se kan qene ne nje banes,po e kan pas fatin dhe kan shpetuar.Gjate tere javes ka deklaruar se nuk do te lejohen zgjedhjet lokale ne veri,Policet e Kosoves do te nderhyjn i kemi marre te gjitha masat ,ndersa sot thot qe duhet te injorohen qfar turpi si mundet te del para televizionit dhe te na trgon pallavra per gjdo dite. a mundet me u shiqu ky njeri ne pasqyr kur te zgjohet ne mengjes?A ka ky minister Familje qe ti tregon se e ka teperur me pallavra duhet te terhiqet, a ka far barre te fajit per gjith keto vrasje qe kan ndodhur ne kohen e ti qfar turpi.O popull ku po jetoni...








Ereniku10.05.2012/17:34
Flaka je e madhe sa Gjakova.