ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Pulsi *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 187 *** 22:20    Dokumentar: “Njerëzit dhe kujtimet flasin” *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Poshtë e më poshtë

Publikuar: 29.04.2012 - 17:02


Nga ta sjellësh, interesi i kësaj kaste politike është mbetja në pushtet, dhe kjo nënkupton miratim ligjesh degraduese, dallavere zgjedhore, mungesë interesimi dhe përkushtimi për t’u marrë me punë përnjëmend

Kësaj radhe ngjarjet e javës i hapën gazetarët, botuesit dhe pronarët e mediumeve me një protestë shumë simpatike dhe simbolike, me të cilën kundërshtonim miratimin e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal. Kjo, ngase nuk po mendojmë, por po e dimë me siguri se me këto nene cenohen liria e shtypit, liria e të shprehurit dhe e drejta e popullatës që të informohet. Aktin kundërshtues të dhunimit të gazetarisë hulumtuese të mbështetur mbi burime që nuk u pëlqejnë aktorëve, që këto burime i përmendin jo për t’i lavdëruar, e përfunduam duke “bërë garë” se kush e kishte kapacitetin më të madh të mushkërive. Filikaqat i shpallën fitues joduhanxhinjtë ose duhanxhinjtë që nuk e kanë lënë duhanin, por janë në pauzë... :)



Debati i ngritur dhe reagimet e shumta në lidhje me Kodin Penal u kthyen te origjina e vetë tekstit – te Ministria e Drejtësisë, përkatësisht te vetë ministri, i cili dje e tha një fjalë të madhe, të cilën duhet ta dëshmojë deri në fund të këtij viti. Ai tekstualisht e tha se do të jepte dorëheqje po qe se nenet 37 dhe 38 nuk do të hiqeshin nga përmbajtja e Kodit Penal, nëpërmjet të gjitha procedurave ligjore në dispozicion: nëpërmjet veprimit të kryetares së Kosovës me të kthyer ligjin prapa në rishikim dhe me propozim konkret që këto nene të hiqen, sepse janë të tepërta, diskriminuese dhe kufizuese; me inicimin e amendamentimit të ligjit të porsamiratuar në Kuvend, në fakt me votimin në favor të heqjes së këtyre neneve nga koalicioni qeverisës që ka shumicën në Kuvend; me inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit para Gjykatës Kushtetuese.



Përderisa një deklaratë e këtillë publike e zëvendëskryeministrit është për çdo lëvdatë, megjithatë mbetet një element negativ në gjithë këtë procedurë, e ky është se ministria e tij, si sponsore e tekstit ligjor, ka mundur ta tërhiqte projektligjin nga procedura që në çastin kur u argumentua se këto nene janë të dëmshme për shoqërinë kosovare. Atëherë do të kishe dalë para deputetëve për të argumentuar psenë e veprimit dhe nuk kishim ardhur në situatën kur njerëzit që nuk e kanë njohurinë elementare juridike të vlerësojnë nëse këto nene duhen mbajtur në ligj ose jo, “sepse të gjithë jemi të barabartë para ligjit”. E në këtë rast, “super të barabartit” dalim ne, përfaqësuesit e mediumeve, sepse inkriminohemi si me dispozita të përgjithshme të po këtij kodi, ashtu edhe me ato të veçanta, me të cilat nuk përfshihen as OJQ-të e as institucionet e tjera të rëndësisë publike. Për më tepër, i nënshtrohemi përgjegjësisë penale edhe në trajtën e personave juridikë, sipas ligjit me po këtë emër që do të hyjë në fuqi në janar.



Kështu, ligji nuk u tërhoq. Ministri deklaroi se si deputetët nuk deshën t’ia dëgjonin këshillën dhe e miratuan ligjin pa i marrë parasysh amendamentet. Mungoi reagimi i Zyrës së ICO-s, “për shkak se ky ligj nuk ka të bëjë me Pakon” (thuajse Pakoja nuk njeh ndërtimin e institucioneve demokratike), mungoi edhe reagimi i zyrave diplomatike, të cilat javën e shkuar u ngutën për ta përshëndetur, ta zëmë, miratimin e Ligjit për Qendrën historike të Prizrenit. Shpresa e vetme duket të kenë mbetur BE-ja dhe Raporti i Progresit, në të cilin Kosova me siguri nuk do të lavdërohet se e ka miratuar një Kod me përmbajtje që cungon lirinë e mediumeve dhe lirinë e informimit. Ose, do të lavdërohet se me kohë vërejti gabimin e vet dhe se e përmirësoi sipas rregullave të veprimit demokratik.



Por Ministria e Drejtësisë nuk ishte aktorja kryesore e javës vetëm për këtë shkak. Ishte edhe një rast, shumë më i rëndë dhe përfundimisht i pakuptimtë ai i cili bëri që ky institucion të fajësohej për neglizhencë. Një ditë para shënimit të Ditës së të zhdukurve, EULEX-i, i cili është dëshmuar si institucioni më i paaftë dhe i paefektshëm që kemi pasur në trojet tona, apo me falë të tjera, institucioni që “e ka kënaqë”, doli për të na komunikuar se varrezat masive nuk mund të hulumtohen, ngase nuk ka ekskavatorë që do ta kryenin këtë punë, dhe se Ministria e Drejtësisë nuk ia ka dalë t’i angazhojë operatorët që do të merreshin me këtë punë, për shkak të parave. Dhe përderisa po e kuptoj se edhe në këtë rast duhet respektuar procedurat e tenderit, atë që nuk po e kuptoj është se si nuk u kërkua angazhimi i makinerisë së FSK-së që të ndihmojë në hapjen e varrezave të dyshuara. Për më tepër, jam shumë e sigurt se po të ishte bërë një thirrje publike, të gjithë ndërtimtarëve që kanë ekskavatorë në dispozicion, që të ndihmonin në hapjen e këtyre varrezave masive, do të vinin në kolonë, pa qitur kajde dhe pa u hamendur.



Të dalësh para familjeve të 1781 të zhdukurve për t’iu thënë se varrezat e mundshme nuk mund të hulumtohen, për shkak se nuk mund të merren vesh nëse gropimi i një “kubiku” dhé bën dy, a pesë, a shtatë euro, është tej mase ofenduese, është neveritëse. Edhe më neveritëse është që këtë mosmarrëveshje ta bëjë publike EULEX-i, kishe po bën diçka të hairit. Është neveritëse që ta shfrytëzojë këtë situatë dhe që në këtë ditë përkujtimore që ta shpërlajë obligimin nga vetja. T’ia hedhë fajin tjetërkujt se përse gjërat ecin ngadalë, apo pse ende ka aq shumë njerëz të pagjetur edhe trembëdhjetë vjet pas lufte. Nuk është etike, sado që institucionet tona nuk janë për t’u lavdëruar. Për shkak se për të kritikuar duhet pasur një bazë të shëndoshë, që nuk do të mund të thuhet se e ka EULEX-i.



E se për çfarë institucioni bëjmë fjalë, e dëshmon edhe seria e shkrimeve që po botohen këto ditë në gazetë për kontrabandën në veri të Kosovës, që e dëmton shtetin për rreth 40 milionë euro në vit. Shkrimet janë bazuar në dokumentet autentike të hetuesve të institucionit që ka zgjedhur të heshtë në vend se të veprojë. Dhe i cili ka zgjedhur të na “këshillojë” që ta ndalim serinë e shkrimeve. Mbase për shkak se kjo po ua prish rehatinë. Për shkak se të shkruash se bankat e Kosovës janë duke shërbyer për të shpërlarë para të kontrabandës; se kontrabanda shërben për futjen e karburanteve, të armëve dhe të drogës në Kosovë qoftë për shitje lokale, qoftë për nevoja transiti – tregon se veriu i Kosovës është totalisht jashtë kontrollit dhe se ka shumë interesa të cilat nuk lejojnë që ai të merret nën kontroll. Dhe se dikush i mbron këto interesa në dëm të qytetarëve të Kosovës.



E se tanët nuk janë për t’u lavdëruar, e dëshmoi dita e djeshme dhe shënimi i Ditës së atyre që nuk po gjenden qe sa vjet, në Mejë të Gjakovës. Nuk pati as kryetare, e as kryeministër, e as kryeparlamentar aty. Nuk ishin aty, jo për hijeshi, por për t’i nderuar viktimat e luftës që na solli ndryshimin e jetës dhe shmangien e okupimit, për shkak se ata janë përfaqësues të institucioneve që i përcakton Kushtetuta. Përderisa për kryetaren tashmë duket gjë e zakonshme t’i kapërcejë ditët kur duhet nderuar dëshmorët, arsimtarët, gratë – pra pse jo edhe të zhdukurit, për kryekuvendarin nuk dihet se përse mungoi, pos nëse e ka shndërruar këtë në vikend të zgjatur që do të lidhet me 1 Majin. Për kryeministrin është absolutisht më me rëndësi sigurimi i pushtetit lokal në Ferizaj dhe përmbyllja e fushatës zgjedhore, në të cilën thuhet se partia e tij ka bërë më së shumti shkelje me përdorimin e veturave zyrtare; hapësirave të institucioneve që i ka mbuluar me postera të PDK-së; mbledhjen e profesionistëve që paguhen nga buxheti për të marrë pjesë në “dreka bashkëbisedimi” me kryeministrin, madje disa ditë para se t’ia niste zyrtarisht fushata zgjedhore...



Dhe kjo fushatë e kjo zgjedhje e kryetarit të një komune do të dëshmojë edhe një herë se përse kujt s’i bëhet vonë për ta reformuar sistemin zgjedhor në Kosovë. Nuk e kam as dyshimin më të vogël që qysh të dielën do të dëgjojmë për raporte se llambat kontrolluese nuk kanë funksionuar; se ata të vdekurit që nuk janë shlyer nga listat do të çohen dhe të votojnë; se si nëpër ndonjë vendvotim do të vijë “burri i shpisë” e do të votojë për të gjithë familjen – sepse ai e di më së miri se si duhet votuar; se do të ketë shans që votat të numërohen disa ditë në vend të një nate të vetme... gjasat janë se do të ketë vjedhje votash, për shkak se pushteti lokal është lukrativ dhe mbi të gjitha jep pushtet që shumëkush e lakmon.



Nuk ka dyshim se shumëkujt do t’i konvenonte që ndryshime në Ligjin zgjedhor të kishte sa më pak e që situata të qëndronte sa më e mjegullt që mundet, për shkak se kështu do të vazhdonim të shtiremi se jemi shtet demokratik që organizon zgjedhje që nxjerrin udhëheqës të dalë nga vota e lirë e qytetarit. Ani pse të gjithë ne e dimë se kjo fjalia e fundit është një pallavër të cilën as vetë ata që e shqiptojnë nuk e besojnë.



BE-ja na kritikon për mungesë të arritjeve në segmentin e reformës zgjedhore, me të drejtë, për shkak se e ka përkrahur me para punën e komisionit që është dashur të merrej me këtë punë. Jo vetëm që ka angazhuar ekspertë përkrahës, por ua ka mundësuar shëtitjen anëtarëve të komisionit nëpër vende të ndryshme për të parë se si funksionojnë zgjedhjet në shtete normale. Por, njëkohësisht ka harruar një element – që të ritheksojë se projekti shumëvjeçar evropian, që kishte përkrahje shumë të fuqishme nga Feithi, ai i regjistrimit të popullsisë, ka dështuar. Ishte thënë se rezultatet do të na dalin në maj të sivjetmë, por problemi qëndron: regjistrimi është realizuar keq, nuk janë përfshirë të gjitha banesat dhe ekonomitë familjare dhe ka munguar regjistrimi i katër komunave në veri të Kosovës.



Shikuar nga ky aspekt, cili pra do të jetë çelësi për përcaktimin e zonave zgjedhore, përderisa nuk dihet sa popullsi ka në Kosovë; sa vendbanime i ka Kosova dhe me çfarë popullate numëron; përderisa nuk ka evidencë të kosovarëve në botën e jashtme me të drejtë vote; përderisa nuk gjendet zgjidhja që do të ofronte siguri se listat e hapura do të mbesin të tilla dhe se nuk do të shërbejnë për vjedhje votash në nivel partish dhe në nivel kandidatësh.



Siç është folur shumë kohëve të fundit, Thaçit nuk i ngutet t’i mbajë zgjedhjet për kryetar Kosove. Me Kornizën afatmesme e ka paraparë që kjo të ndodhë më 2013, kur tashmë do t’i ketë lidhur të gjitha kontratat që kanë mbetur pa u lidhur për privatizimin e PTK-së dhe të KEK-ut, si dhe për ndërtimin edhe të një autostrade e edhe të ndonjë aseti që nuk po e dimë se nga e kemi të fshehur. Dhe deri atëherë do ta mbajë peng procedurën e reformës zgjedhore, për shkak se mundet. Opozita nuk mund t’i bëjë gjë, për shkak se opozita e vërtetë, dhe duket e vetme në këtë Kuvend, i ka vetëm 12 ulëse, shumë pak për të bërë çfarëdo ndryshimi. Ata të tjerët që i thonë vetes opozitë, çdoherë e më tepër po tingëllojnë si partnerë të hidhëruar përkohësisht që kufizohen në përsëritjen e lajmeve që i boton kryesisht gazeta jonë si elemente kritike të punës së Qeverisë.



E se kjo Qeveri funksionon aq keq, saqë tashmë ka mbërritur në pikën kur kritikohet nga vetë anëtarët e saj, e dëshmoi ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, e cila tha se krimi ekonomik dhe korrupsioni nuk do ta mundësojnë as liberalizimin e as do ta ndihmojnë Kosovën në procesin drejt BE-së. Nuk do të befasohesha po të ketë aluduar në veriun kur i ka thënë këto fjalë, por kështu siç i ka thënë, kanë tingëlluar shuplakë për ekzekutivin në të cilin bën pjesë – sepse, të kujtojmë, edhe veriu është pjesë e Kosovës, e aty, sipas kryeministrit, janë duke operuar djemtë dhe vajzat tona. Pra, mosluftimi i krimit dhe i korrupsionit si përgjegjësi i bie në barrë drejtpërdrejt Qeverisë. Ani që është shumë e kuptueshme se Qeveria nuk mundet dhe nuk do që ta luftojë veten, apo jo, marrë parasysh se edhe ajo, sado që e quajnë perceptim, është vetë e korruptuar. Ose, për ta shmangur vëmendjen nga vetja merret me punë dytësore dhe që nuk kanë lidhje me zhvillimin ekonomik. Siç do të thoshte me shumë spirituozitet mikja ime Xheradlina R.: Krejt fajet për keqqeverisjen e Kosovës i ka Vetëvendosja. Qeveria duke i përcjellë kah po shkojnë e me kë po rrinë, nuk po ka kohë me u marrë me punët e veta! Na shkoi shteti poshtë.



Poshtë e më poshtë...



flaka@koha.net

Komente (12)

i pashprese03.05.2012/09:39

Te lumte z. Surroi. E kam edhe une nje kerkese, pse te mos ju bashkoheni zerit te opozites atyre te VVse qe perfundimishte te triumfoj drejtesia dhe shteti i kapur nga idiotet te marre fund njehere e per gjithmone, a ka ma turp se ti lesh te sundojne Kosoven, ... sesit ordinder e matrapazet, boll ma! Qelni syte, se thika ka shku deri ne ashte.

sala01.05.2012/15:08

Mendimi i Hashim Thaqit eshte se ai eshte me meritori qe kosova eshte aty ku eshte,mendim i cili kosoves i ka sjelle shume deme dhe le te kuptohet se vetem ... riga ia ka sjell te gjitha te mirat qe ai dhe familja e tij i kane arritur ne interes te vetin e jo te kosoves dhe per asgje nuk pergjigjet para drejtesise i shtyn njerezit e tjere qe te veprojn njejt ne menyre qe te pasurohen ne kurriz te popullit po le ta ze ofshama e familjeve te deshmoreve dhe inv.te luftes e cila i dha fryme e jete kesaj toke me deshiren qe nje dite ti mbetet ne fyt e tere ajo qe eshte perfituar ne kete menyre.

Antigona Hoxha01.05.2012/00:20

Shuum e vertet Z.Flaka qee opozita ne kosov i ka vetem 12ulese!!!

Por shpresoj ndonjeher qee pjes e kesaj opozite te ishe edhe ti!! sepse kem nevoj per njerez qe guxojn te flasin pa frik, dhe te jen modest!!!

Suksese per juu!!!

FAN NOLI 30.04.2012/18:15

BRAVO KJO ESHTET E VERETET . OK NJE SLLOVEN KISHTET THEN PREJ. FASHATIT NE MECEDES ,NUK KA ZHVILLIM EKONOMIK.KJO ESHTET PASQYRJA E KOSOVES QE 100 VJET SHKENCA DHE EKSPERTAT E ZHVILLIMIT EKONOMIK DUHET TA KAN RRUGEN NE DUAR OK

Afrimi, Ferizaj30.04.2012/17:09

Keta individ nuk jan kaste politike, keta jan hordhit barbare te Hashim Thaqit !

Panqo Vila30.04.2012/11:52

z. Flaka si gjithnje jeni shume te mire dhe nje shkrim te mrekullushem,por hajde nje njeri te themi i zakonshem me dije te shkrimit dhe te leximit dhe me nje sholle te mesme te kryer i cilli ka dale portej katunit vete disa here po ju kupton ??!! por si me informacione te tilla me arrit deri tek votuesi i zakonshem por PDKn..i cilli eshte nga fshati,ne qytet dele vetem per "dite pijaci" ,shkrim lexim te cenguar,shkolle te kryer pas lufte te mesmen per nje jave dhe fakultetin per 10 dite..ne treg te automjeteve,..dhe tash i punesuar ne administrat qeveritare..ka shume sukses ne pune...partia e ka punesuar..si me hjek kete hemoroid nga faqja e dheut ?? mendoni juve qe ky dhe familja e tia "akademike" do votojne per tjeter kende kush do qoft aji...a kesi papaka te nivelit hemoroid te afert me "pushtetin" ka nje numer katastrofal ne nivele shqetesuese te cillit kan me varros kete kosove ...

kameri30.04.2012/11:27

Zonja Surroi,shkrimet Tuaja jan Fascionuse,per lexuesit Respekt!Por Na komentuesit nuk kemi as qka te hjekim,as qka te shtojmi!Dmth.pytje e pergjegjeje po i japni vet!!!Por per fjalen e mikeshes Tuaj Xh.R.vlen ajo fjala "Krejte fajet per korrjen e keq te Ares i ka Nusja"Faliminderit

nora30.04.2012/09:27

Sa per diten e te viktimave te ... re ne fshatin Meje, e udhes do te ishte qe parlaemnti i Kosoves njehere e mire te aprovoje nje dite te perkujtimit ndaj deshmoreve te rene ne luften e fundit te Kosoves, e jo secili fshat dhe secila familje krye ne vete te organizojne keso perkujtimesh. Njeherit, kjo flet edhe per mungesen e institucionalizimit te konceptit te memorialeve ne Kosove!

nora30.04.2012/09:24

'....doli për të na komunikuar se varrezat masive nuk mund të hulumtohen, ngase nuk ka ekskavatorë që do ta kryenin këtë punë, dhe se Ministria e Drejtësisë nuk ia ka dalë ti angazhojë operatorët që do të merreshin me këtë punë, për shkak të parave....' Ministia e drejtesise ka 4 here qe e anulon tenderin per eskavatore!!! Nderkohe qe mjetet per kete i ka dhuruar qeveria e Belgjikes, dhe te njejtat i jane kthyer mbrama ngase nuk kane mundur te shpenzohen brenda afatit te caktuar. Me mire eshte qe familjaret e viktimave dhe personave te pagjetur te mos dine per keto marifetlleqe te pista.

Washington DC29.04.2012/20:19

Tekst mjaft i qelluar, por me lejoni t'i theksoj disa verejtje modeste. Mendoj se deklaratat per korrupcionin dhe shtetdeshtimin ne veri jane vetem alibi per t'a heshtur dhe relativizuar korrupcionin dhe shtetdeshtimin ne jug. Sot ne vendet Perendimore Kosova eshte bere sinonim per deshtimin e shtetit dhe institucioneve. Shoqeria civile eshte strukur, ndersa kur perpiqet te flase, zeri i ngulfatet nga postet qe ia jep pushteti. Ky eshte thelbi i problemit perse ne Kosove nuk leshon rrenje demokracia e mirefillte dhe opcioni qytetar. Kur them qytetar, nuk mendoj per njerezit qe jetojne ne qytete apo katunde, por per qytetaret, te cilet me sy dhe ze kritik i ndjekin te gjitha veprimet e pushtetit. Politika ne Kosove e ka institucionalizuar kleptokracine, ndersa organizatat joqeveritare jane bere instrumente fitimprurese. Ne vend qe te jene fidanishte per te krijuar opinion te pjekur, doli se ato prodhuan politikane, ambasadore dhe deputete. Kur nje grupim me orientim civil nuk arrin te siguroje asnje deputet, atehere diçka nuk eshte ne rregull me shoqerine. Me vjen keq qe Kosova nuk eshte ajo per te cilen jemi perpjekur. Gjenerata jone kishte disa ideale, por sot jeton ne zhgenjim te plote...

Hyseni Gjakove29.04.2012/20:06

GRANDE FLAKA

ibra29.04.2012/19:25

Ashtu eshte zonja flakati e di se keta njerze pa Vetevendosjen gati sa jan kan mbyt tue u rrah mes veti me karriga jo per karriga por per pozita ma te dukshmema, me u pa ma mire si pasqyre para kamerave ne vet parlamentin.Se karrigat i kishin po i brejke pamja se si do te dukeshin ma shum e ma mire ne TV.Kariga per keta njerz dmth ekzistenca,familja, shteti, patriotizmi,morali.Kaerriga per ta eshte froni i perendis.

1000  Karaktere
Prishtinė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 25°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 29°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė27°CMe diell
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe diell