ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 15:15 Oxygen ® *** 17:00 KOHA E LAJMEVE *** 17:15 Oxygen ® - Vazhdimi *** 19:00 Lajmet e mbrëmjës *** 19:40 Serial Për femijë " Little Chearlies Bear " . Epis 13, 14, 15 *** 20:15 N'darkë *** 21:30 Sporti Total *** 22:55 Marketing *** 23:00 KOHA E LAJMEVE ...

Historia që shkroi KOHA nuk shlyhet kurrë

Publikuar: 01.04.2012 - 09:54

Të nderuar miq,

Ju faleminderit shumë që na u bashkuat sonte që të kremtojmë së bashku një jubile, që, siç e tha Agroni, mund të jetë i vogël në shikim të parë, por për të cilin them se është i madh dhe i mrekullueshëm, jo vetëm për kompaninë tonë.



Mbase vështirë do të gjeja ca fjali më përmbajtjesore dhe më përshkruese për atë që kremtojmë sot, sesa këto që ishin botuar në numrin festiv të vitit 1997, nëntë muaj pasi kishte dalë numri i parë i gazetës:



Nuk është çështje modestie apo jomodestie, por megjithatë duhej shënuar njërin prej faktorëve kryesorë të zhvillimit të Kosovës gjatë këtij viti, daljen e gazetës sonë.

Tash, në fund të këtij viti, gjërat duken ndryshe për të gjithë ata lexues tanë besnikë, të cilët e bënë gazetën “KOHA Ditore” mediumin më të rëndësishëm në Kosovë. Por atëherë kur filluam, në mars të këtij viti, kishim përballë disa sfida: në Kosovë nuk kishte ekzistuar një gazetë e përditshme e pavarur, në Kosovë nuk kishte ekzistuar konkurrenca mes dy vizioneve gazetareske, në Kosovën e gazetarisë së përditshme tradita themelore ishte e bazuar në njëmendësi...

Sot, kur tirazhi i gazetës sonë ka muaj që është gati dhjetëfish më i madh se i konkurrencës, mund të shpalosim një arsye të madhe për krenari: kjo është gazetë e sajuar nga të rinjtë e Kosovës, me një shumicë redaksionale të përbërë nga mosha nën 30-vjeçare.

Diku do të mbetet e shënuar kjo përpjekje jona, që edhe në kushtet e pushtimit, fëmijët e rritur në gjendje të jashtëzakonshme arritën të themelonin institucionin më të rëndësishëm informativ të Kosovës së vitit 1997....

...dhe shpresojmë, institucionit më të rëndësishëm informativ të viteve që do të vijnë....”



Nuk është çështje modestie ose jomodestie që sot, më të lumtur se kurrë, e shënojmë këtë ditë të gazetës, që jo vetëm me vetë shfaqjen e vet, por edhe me gjithë ndikimin gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve, ka qenë gjithnjë një faktor shumë i rëndësishëm i zhvillimit në Kosovë.

Nuk ka pasur ditë gjatë këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve që nuk jemi ballafaquar me sfida: jemi gazeta e parë e pavarur kosovare në të gjitha aspektet; fatmirësisht, Kosova është bërë me një numër jo të vogël gazetash ditore, që bazën ekipore e ndërtuan me njerëz që kishin kaluar dhe ishin formuar në shkollën e gazetarisë KOHA; dhe, pavarësisht të gjitha presioneve që na bëhen, e kemi ruajtur pavarësinë editoriale dhe u kemi mundësuar që të gjithëve ta shprehin mendimin e tyre lirshëm dhe pa censurë.

Përpjekja e Vetonit, që duke i udhëhequr fëmijët e rritur në gjendje të jashtëzakonshme ta themelonte institucionin më të rëndësishëm informativ në Kosovë, vazhdon të shënohet çdo ditë si rrëfim shumë i suksesshëm. Po të mos ishte  ashtu, nuk do të kishte të tillë që me çdo kusht do të shkruanin nëpër biografitë e tyre se ata ishin themeluesit e gazetës KOHA Ditore.

Sot KOHA Ditore vazhdon të jetë gazeta më e madhe dhe më e fuqishme që ka Kosova, dhe sikurse para pesëmbëdhjetë vjetësh e shpalosim një arsye tjetër të madhe me krenari: shumica redaksionale është nën moshën 40-vjeçare, por është produkt i shtëpisë, është ai brez që kishte nisur karrierën me ekipin e parë të gazetarëve të gazetës... është brez të cilin e ka zëvendësuar vala e re, me mesatare të moshës nën 30 vjeç...

E se sa i rëndësishëm vazhdoi të ishte institucioni, e dëshmojnë edhe pesë njësitë që derivuan nga gazeta, dhe fakti se me gjithë vështirësitë, shkuam duke u rritur edhe në numra punëtorësh.

Në këtë përvjetor gjetëm një formë për ta shënuar suksesin e gazetës – duke bërë përzgjedhjen e afro 800 ballinave që ne vlerësuam se duhej veçuar nga gjithsej 5.309 që janë botuar deri në ditën e sotme e, të cilat i kemi përmbledhur në dy vëllime monografie. Teksa e bëja shfletimin e “hises” sime të ballinave, ishte ky mendim ai i cili më shkoi nëpër mend:

Sa herë i shikoj ballinat e gazetës ndër vite, ndiej huti, sepse nuk e di nëse thënia “historinë e shkruan fituesi” nuk është gjithaq e saktë, apo është se kjo thënie është e saktë, veçse histori mund të ketë shumë, ashtu si mund të ketë fitues shumë.

Histori është kjo jona – atë të cilën e përshkruan gazetarët sipas rrëfimeve të njerëzve të rëndomtë dhe të atyre pak më të veçantë. E kjo shpesh do të jetë ajo që nuk do të përputhet as me kujtimet e zbukuruara të personazheve që ishin pjesë e këtyre rrëfimeve, e as me librat që do ta përmbajnë historinë, sipas atyre që mbajnë pushtet dhe e shohin veten si fitues.

Mbase fituesi më i madh në këtë histori të ndërtuar kështu me fjalë dhe fotografi do të jetë populli i Kosovës, i cili qe personazhi kryesor i kësaj historie dhe i cili me shfletimin e ballinave të zverdhura nga koha do t’i kujtojë edhe ditët e lumtura për mbamendje e edhe ato të cilat pasqyruan zgripin ndërmjet jetës dhe vdekjes, ato të shëmtuarat që nuk bën të harrohen.

Historitë mund të shkruhen e të rishkruhen sa herë që të ketë fitues të rinj. Por njëra histori nuk do të shlyhet kurrë, pavarësisht se sa do t’u shkonte kjo për shtat atyre: historia të cilën dita më ditë, pesëmbëdhjetë vjet me radhë, e ka shkruar KOHA Ditore.... dhe që do të vazhdojë ta shkruajë me breza e breza...

Urime ditëlindjen!



(Fjala e mbajtur në ceremoninë e 15-vjetorit  të Kohës Ditore)

 

Komente (2)

F.Hamburg01.04.2012/12:51

Urime Urime vetem vazhdoni keshtu.

pf.weiler01.04.2012/11:14

Redaksi e nderuar e Kohes ditore ju uroj qdo te mire dhe shume suksese per ditelindjen e 15 te kesaj gazete.Puna e juaj e zellshme per informim te drejte dhe korrekt me ben te lumtur dhe na e ngroh shpirtin. Gezohem qe ishit pjese e historise ne historine e ketyre viteve qe shkruat e pershkruat komentuat e kritikuat por gjithmone me te drejte dhe korrekt.Urime, urime dhe shume suksese ju deshiroj nga zemra.

1000  Karaktere
Prishtinė 23°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 23°CI kthjellėt
Shkup 27°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė26°CMe diell
Tiranė25°CMe diell
Shkup30°CMe diell