ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Pulsi *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 187 *** 22:20    Dokumentar: “Njerëzit dhe kujtimet flasin” *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Insideri i dyfishtë, Zhbogar

Publikuar: 10.01.2012 - 20:28

Si slloven, përfaqësuesi i ri i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, do të ketë gjasa më të mira për sukses në arritjen e qëllimit që Kosova të mos shndërrohet në Bosnje të dytë

Fundi i vitit nga Brukseli na e solli edhe lajmin e shumëpritur: Bashkimi Evropian pas nëntë muajsh shtyrjeje më në fund vendosi që të emërojë përfaqësuesin e vet të ri për Kosovë. Emri është i njohur në Kosovë, por edhe më shumë në Slloveni: Samuel Zhbogar.

Ish-ministri i Jashtëm i Sllovenisë, që nga janari 2012 do të jetë njeriu numër një i BE-së në Kosovë. Në punën e tij të re Zhbogar do të jetë pothuajse ambasadori i parë i BE-së në Kosovë, sepse do të jetë në krye të zyrës e cila do të duhej të mblidhte nën një kulm të gjitha misionet e BE-së në Kosovë – prej Komisionit Evropian e deri tek Zyra e përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë. Kjo, në teori, do të duhej të ndihmonte që Bashkimi Evropian në Kosovë të jetë më aktiv, më efikas dhe më konkret në arritjen e qëllimeve të vendosura prej kohësh: ndërtimin e shtetit që politikisht është stabil, ligjërisht funksional dhe ekonomikisht në zhvillim.

Ose – të shprehem më brutalisht – qëllimi është që të mos lejohet që Kosova të shndërrohet në një Bosnje të dytë.

Për Kosovën emërimi i Zhbogarit është lajm i mirë për së paku dy arsye esenciale që janë ngushtë të ndërlidhura me këtë qëllim.

Arsyeja e parë është se Zhbogar ka përvojën nga pozita e ministrit të Jashtëm të Sllovenisë. Si shef i diplomacisë sllovene, Zhbogar shumë mirë e njeh ndërlikueshmërinë e funksionimit me kolegët nga vendet e tjera të BE-së, që do të duhej t’i ndihmonin atij – e me këtë edhe Kosovës – që sa më lehtë të përballet me problemet që janë rezultat i mospajtimit të të gjitha vendeve të BE-së rreth Kosovës. Njëlloj, (ish) ministri i Jashtëm, Zhbogar, është i vlerësuar jo vetëm në Bashkimin Evropian, por edhe në Kombet e Bashkuara, andaj edhe aty do të mund të ndihmonte që Kosova të shtyhet në një agjendë më pozitive të bashkësisë ndërkombëtare: në vend të përqendrimit të vazhdueshëm në problemet e Kosovës (veriu, ekonomia e pazhvilluar, problemet politike, kushtet sociale), bota do të mund të ndihmonte më tepër nëse i kushtohet vëmendje zgjidhjes kualitative dhe afatgjate të këtyre problemeve, prej të cilave me rëndësi prioritare janë hapja e perspektivës reale evropiane për Kosovën dhe zhvillimi ekonomik, të cilat janë të pamundura në kushtet e izolimit ekonomik dhe pa investime të jashtme. Thënë shkurt, Zhbogar do t’i ndihmonte shumë vetes dhe Bashkimit Evropian nëse do t’i ndihmonte Kosovës që të trajtohet si shtet – edhe politikisht edhe ekonomikisht – nga e tërë BE-ja.

Arsyeja e dytë pse ardhja e Zhbogarit në Kosovë është me rëndësi pozitive, është Sllovenia.

Është e vërtetë se shefja e Zhbogarit tani do të jetë Catherine Ashton, por është po aq e vërtetë se shumë prej asaj që ai do t’i bëjë do të mund të kenë sukses për shkakun që ai vjen nga Sllovenia, me njohjen sllovene për rajonin, dhe me përvojën sllovene nga BE-ja.

Sllovenia, si i vetmi shtet i ish- Jugosllavisë që ka arritur nivelin zhvillimor politik e ekonomik të Evropës dhe është bërë anëtare e BE-së, ka pozicionin unik në raport me Kosovën, por edhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor: Sllovenia (e me të edhe Zhbogar) është insider (subjekt që ka njohuri të brendshme) i dyfishtë – insider në BE dhe insider në rajon.

Kjo shumë lehtë mund të përdoret për lëvizje pozitive në Kosovë – si ato politike ashtu edhe ekonomike, sepse Zhbogar do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në së paku katër fusha që janë me rëndësi jetike për Kosovën: zgjidhjen e problemeve të mbetura me Serbinë dhe serbët, funksionalizimin e Kosovës si shtet dhe demokraci, ndërtimin e marrëdhënieve të reja politike të Kosovës me BE-në, dhe – që është me rëndësi primater për tri të parat – arritjen e qëndrueshmërisë ekonomike.

Instrumentet ka kohë që kanë qenë në vend – misione të ndryshme evropiane punojnë në Kosovë me vite, me mandat për të ndihmuar zhvillimin politik, ekonomik dhe shoqëror të Kosovës – por nuk ka pasur vullnet politik dhe lidership që ato instrumente të përdoren si duhet. Kosova tani shpreson se është pikërisht Samuel Zhbogar njeriu që do të mund të sillte ndryshimin e nevojshëm.

Ai ndryshim do të jetë qenësor edhe për vetë Zhbogarin, sepse në të kundërtën, nëse do të lejojë që presioni nga Brukseli ta shndërrojë atë në një burokrat të rëndomtë të BE-së dhe nuk bën asgjë konkrete si rezultat i mospajtimeve brenda BE-së që ka prodhuar pozicioni neutral që ka Brukseli ndaj pavarësisë së Kosovës, ai vetë do të përfundojë si vetëm edhe një nga fusnotat e shumta të mossuksesit evropian në Kosovë! Për këtë arsye, Kosova pret shumë nga Zhbogari.

Ndërsa Qeveria e re sllovene, kur të jetë e zgjedhur dhe funksionale, do të duhej të mendohej mirë se si mund ta përdorë pozitivisht për kthimin politik dhe ekonomik të Lubjanës në Kosovë faktin që tani një slloven do të jetë evropiani i parë në Kosovë, e me këtë edhe insider në Prishtinë. Diçka e tillë pa dyshim se do të ishte në dobi të Sllovenisë, por edhe të Kosovës.

Andaj, në fund të një viti të rëndë për Kosovën, lajmet e fundit nga Brukseli japin shpresë se viti i ri 2012 do të mund të sillte ndryshimin i cilin ka kohë që ka qenë i nevojshëm, dhe që është qenësor jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë rajonin dhe vetë Bashkimin Evropian.

Dhe Samuel Zhbogar është emri me të cilin ajo shpresë tani identifikohet.



(Kjo kolumne e kryeredaktorit të “Kohës Ditore” është botuar në të përditshmen sllovene “Finance”)

Komente (2)

ilaz11.01.2012/17:37

duhet blloku se nuk ka zgjidhje me ket qeveri po i jep shum beneficione serbis e ajo po i bllokon shqipetaret madje edhe ka 69 or ne kufi
bllok edhe mur
bile

GENTI11.01.2012/13:49

...dhe Viti 2012 Viti i Suksesit per Kosoven dhe Viti i Kiametit per Srbine.
Ca po thuni, a jeni dakord ?

1000  Karaktere
Prishtinė 19°C
Tiranė 19°CI kthjellėt
Shkup 21°CI kthjellėt
Prishtinė27°CMe diell
Tiranė28°CMe diell
Shkup30°CMe diell