Kostoja e 11 shtatorit
Joseph StiglitzArtikujt tjerė
- Jeta kundrejt përfitimeve
- Vetëkënaqësia në një botë pa lider
- Shpresa amerikane kundrejt shpresës
- Mistifikimi monetar
- Kostoja e 11 shtatorit
- Një mundësi madhore për shëndetin global
- Viti i pesimizmit të arsyeshëm
- Çfarë mund ta shpëtojë euron?
- Globalizimi i protestave
- Kriza ideologjike e kapitalizmit perëndimor
Organizata Al-Qaeda, ndonëse jo e mposhtur, nuk duket se paraqet kërcënim aq të madh si pas sulmeve të 11 shtatorit. Por, çmimi që u pagua për të arritur deri në këtë pikë, në SHBA dhe gjetkë, ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe kryesisht ka mundur të shmanget. Pasojat do të na ndjekin për një kohë të gjatë. Ia vlen të mendosh, para se të veprosh
New York, 11 shtator Sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 nga Al-Qaeda synonin ti bënin dëm SHBA-së dhe ato e bënë një gjë të tillë, por në një mënyrë të cilën Osama Bin Laden mbase kurrë nuk e kishte marrë me mend. Reagimi i presidentit George W. Bush ndaj sulmeve shkeli parimet themelore të Amerikës, e vuri në rrezik ekonominë dhe e dobësoi sigurinë.
Sulmi në Afganistan që u ndërmor pas sulmeve të 11 shtatorit ishte i kuptueshëm, por pushtimi mëpasmë i Irakut nuk kishte fare të bëjë me Al-Qaedan, ndonëse Bushi u mundua ta bëjë një lidhje. Ajo luftë e zgjedhur vetë shumë shpejt u bë tejet e kushtueshme porosi që shkonin përtej 60 miliard dollarëve qysh në fillim derisa paaftësia kolosale u kombinua me keqinterpretimin e pasinqertë.
Në të vërtetë, kur unë dhe Linda Bilmes llogaritëm kostot e luftës së Amerikës, tre vjet më parë, shifra shkonte tre deri në pesë bilionë dollarë. Që nga ajo kohë, kostoja vetëm është rritur. Derisa 50 për qind e ushtarëve të kthyer e kanë të drejtën të marrin ndihma invalidësh dhe me më shumë se 600.000 të trajtuar në objektet mjekësore të veteranëve, ne tani vlerësojmë se pagesat e ardhshme për invalidët dhe kostot e kujdesit shëndetësore do të shkojnë në 600-900 miliardë dollarë. Por, kostot sociale, të pasqyruara në vetëvrasjet e veteranëve (që kanë shkuar edhe në 18 në ditë përgjatë viteve të fundit), ashtu si edhe shkatërrimi i familjeve janë kosto që nuk mund të llogariten dot.
Madje edhe nëse Bushit mund ti falet që e ka futur Amerikën, ashtu si edhe pjesën tjetër të botës, në luftë me pretendime të rrejshme dhe për keqinterpretim të kostos, është e pafalshme mënyra se si ai vendosi ta financojë tërë këtë. Lufta e tij ishte e para në histori që u pagua tërësisht nga krediti. Derisa Amerika shkoi në luftë, me deficite edhe ashtu të larta si rezultat i shkurtimeve të tij tatimore të 2001-shit, Bushi vendosi të zhytet edhe në një ulje tatimore për të pasurit.
Sot, Amerika është e përqendruar në papunësinë dhe deficitin. Që të dyja këto kërcënime për të ardhmen e Amerikës munden që të gjurmohen në luftërat në Afganistan dhe Irak. Shpenzimet e rritura në fushën e mbrojtjes, së bashku me shkurtimet tatimore të Bushit, janë arsyeja kryesore përse Amerika kaloi nga suficiti fiskal prej dy për qind të GDP-së, kur Bushi u zgjodh president, në deficit, në të cilin ndodhet sot. Shpenzimet direkte qeveritare për ato luftëra deri më tani përfshijnë afërsisht dy milionë dollarë 17.000 dollarë për secilën amvisëri amerikane derisa pritet që fatura vetëm të rritet.
Për më tepër, siç kemi argumentuar edhe unë dhe Bilmes në librin tonë, Lufta Trebilion dollarëshe, luftërat kontribuuan në dobësimin makroekonomik të Amerikës, duke e rritur deficitin dhe barrën e borxheve. Atëherë, ashtu si edhe tani, trazirat në Lindjen e Mesme rezultuan me ngritjen e çmimit të naftës, duke detyruar amerikanët të shpenzojnë para në importet e naftës, të cilat do të kishin mundur ti shpenzonin në blerjen e mallrave të prodhuara në SHBA.
Por atëherë Rezerva Federale amerikane fshehu këto dobësi, përmes një flluske në patundshmëri, duke rezultuar me rritjen e konsumit. Do të duhen vite të tëra për të tejkaluar pasojat e tërë asaj që rezultoi nga tërë kjo gjë.
Në mënyrë ironike, luftërat e vunë në rrezik sigurinë e Amerikës (dhe të botës), sërish në një mënyrë që Bin Laden nuk do të kishte mundur ta imagjinojë. Një luftë e jopopullarizuar do ta kishte bërë rekrutimin ushtarak të vështirë në çfarëdo rrethane. Por, derisa Bush u mundua ta mashtrojë Amerikën rreth kostos së luftës, ai nuk u dha fonde të mjaftueshme trupave, duke refuzuar madje edhe shpenzimet themelore për shembull për automjete të blinduara dhe rezistente ndaj minave, të nevojshme për mbrojtjen e jetëve të amerikanëve, apo për kujdes adekuat shëndetësor për veteranët e kthyer. Një gjykatë amerikane pak kohë më parë vendosi se të drejtat e veteranëve janë shkelur. (Çuditërisht, administrata Obama pohon se e drejta e veteranëve për të apeluar në gjykata duhet të kufizohet).
Angazhimi i tepruar ushtarak në mënyrë të parashikueshme ka shkaktuar shqetësim rreth shfrytëzimit të fuqisë ushtarake dhe vetëdijesimi i tjerëve rreth kësaj e vë në rrezik sigurinë e Amerikës. Por, fuqia e njëmendtë amerikane, e cila është më e madhe sesa ajo ushtarake dhe ekonomike është fuqia e butë apo autoriteti i saj moral. Edhe kjo fuqi u dobësua: pasi që SHBA-ja shkeli të drejtat themelore të njeriut, si habeas corpus dhe e drejta për të mos u torturuar, përkushtimi i saj i kamotshëm ndaj ligjit ndërkombëtar u vu në pikëpyetje.
Në Afganistan dhe Irak, SHBA-ja dhe aleatët e saj e dinin se për një fitore afatgjatë duhej që të fitoheshin zemrat dhe mendjet e popullsisë. Por, gabimet në vitet e para të atyre luftërave e komplikuan betejën edhe ashtu të vështirë. Dëmi kolateral i luftës ka qenë masiv: sipas disa shifrave, më shumë se një milion irakianë janë vrarë, në mënyrë direkte apo indirekte, për shkak të luftës.
Sipas disa studimeve, të paktën 137.000 civilë janë vrarë në mënyrë të dhunshme në Afganistan dhe Irak përgjatë dhjetë viteve të fundit; derisa në mesin e irakianëve janë 1.8 milion refugjatë dhe 1.7 të zhvendosur.
Jo të gjitha pasojat ishin katastrofike. Deficitet, të cilave u kontribuuan luftërat amerikane, të financuara me borxhe, tani janë duke e detyruar SHBA-në që të përballet me realitetin e kufizimeve buxhetore.
Shpenzimet ushtarake amerikane vazhdojnë të jenë pothuajse të barabarta me ato të pjesës tjetër të botës, njëzet vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Disa prej shpenzimeve të rritura shkuan tek luftërat e kushtueshme në Irak dhe Afganistan, ashtu si edhe Lufta më e përgjithshme Globale kundër Terrorizmit, por pjesa më e madhe u humb tek armët që nuk funksionojnë kundër armiqve inekzistentë. Tani, më në fund, këto resurse me gjatë do të rialokohen dhe SHBA-ja do të ketë më shumë siguri, duke paguar më pak.
Al-Qaeda, ndonëse jo e mposhtur, nuk duket se paraqet kërcënim aq të madh si pas sulmeve të 11 shtatorit. Por, çmimi që u pagua për të arritur deri në këtë pikë, në SHBA dhe gjetkë, ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe kryesisht ka mundur të shmanget. Pasojat do të na ndjekin për një kohë të gjatë. Ia vlen të mendosh, para se të veprosh.
(Autori, profesor në Universitetin e Columbias dhe fitues i Nobelit më 2001, ka qenë kryetar i Komisionit për Matjen e Performancës Ekonomike dhe Progresit Social. Ky vështrim është shkruar enkas për rrjetin e gazetarisë, Project Sindycate, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore)







