Zbulohen kalendari dhe hieroglifët më të vjetër të majave

Artikujt tjerė
- Shitet aparati fotografik më i shtrenjtë në botë
- Zbulohen kalendari dhe hieroglifët më të vjetër të majave
- Shqiptari Gac Filipaj bën bujë në SHBA
- Akullorja e praruar 1000 dollarë !
- Tuneli i Dashurisë
- Me kallashnikov në krah, askush nuk e ndalon
- "Njeriu-fluturak" u hodh nga kulla 318 metrash
- Zbulohet kalendari 1200 vjeçar i majave
- Princi Çarls jep motin në BBC (Video)
- Avioni i ngrirë në kohë
Xultzn, Guatemalë, 13 maj Kalendari i shumëpërfolur i majave është gjetur në një shtëpi të lashtë në Guatemalë dhe nuk ofron ndonjë të dhënë se fundi i botës është i pashmangshëm, kanë bërë të ditur shkencëtarët.
Përkundrazi, një dhomë e ngjyrosur në kompleksin e banuar në Xutlun ishte mbase vendi ku shkruesit e qytetit kishin mbajtur shënime, duke gdhendur shkarravina llogaritjesh nëpër mure, në përpjekje për të gjetur harmoninë ndërmjet ngjarjeve në qiell dhe ritualeve të shenjta, thuhet në studimin e revistës shkencore Science, raporton Koha Ditore.
Në momentin kur dhoma u zbulua, pjesa më e madhe e ndërtesës ishte në gjendje të keqe, por ishin të dukshme në mure disa qindra hieroglifë me ngjyrë të zezë dhe të kuqe, si dhe disa piktura murale. Sipas hipotezës së studiuesve, dhoma mund të ketë shërbyer si një lloj zyre apo një hapësirë pune për ndonjë të ashtuquajtur shkrues (ekuivalent i kronikanit të kohëve më të vona) pasi u vunë re llogaritje të mbajtura me një rregullsi të pazakontë.
Hieroglifët datojnë nga shekulli i nëntë, që do të thotë se janë me qindra vjet më të vjetra sesa kalendarët e kodekseve të majave, të cilat ishin shkruar nëpër libra me fletë të rrjepura nga viti 1300 deri 1521. Disa duket të jenë kalendarë diellorë 365-ditësh, disa të ciklit 584 ditësh të planetit Venera dhe cikli 780-ditësh i Marsit, tha arkeologu William Saturno, nga Universiteti i Bostonit, i cili drejtoi gërmimet dhe kërkimet.
Për të parën herë kemi arritur të shihnim se çfarë janë të dhënat aktuale të ruajtura nga shkruesi, punë e të cilit ishte të jetë mbajtës zyrtar shënimesh i komunitetit maja, tha Saturno. Majat e lashta parashikuan se bota do të vazhdojë, se 7.000 vjet pas datës aktuale gjërat do të ishin pikërisht ashtu siç janë, shtoi ai. Ne kërkojmë fundin. Majat po kërkonin një garanci se asgjë nuk do të ndryshojë. Është ky një botëkuptim krejtësisht i ndryshëm.
Për më tepër, nuk kishte asnjë shenjë se miti i shumëpërfolur se kalendari i majave do të përfundojë më 2012 bashkë me gjithë botën përmban ndonjë gjë reale.
E gjitha që përfundoi më 2012 ishte një prej cikleve të kalendarit të tyre, theksoi Anthony Aveni, profesor i astronomisë dhe antropologjisë në Universitetin Colgate. Është sikur matësi i rrugës i një veture, pra kalendari i majave po kalonte nga 120.000 në 130.000, tha ai. Shkrime të tilla dhe vepra arti mbi mure është shumë e vështirë të ruhen mirë, sidomos në një shtëpi të varrosur vetëm një metër nën sipërfaqe. Gjëja më emocionuese është se ne tani shohim se majat i kishin bërë llogaritjet e tyre, dhe në vende të tjera përveçse librave, qindra vjet përpara se ato të regjistroheshin nëpër kodekset e famshëm, shprehen të entuziazmuar studiuesit.
Majat përbëjnë një qytetërim kompleks dhe shumë të ditur, të cilët dominuan pjesën më të madhe të Amerikën Qendrore. Tokat e tyre shtrihen deri në Meksikën Juglindore, Belize, Guatemala, El Salvador dhe Honduras. Epoka e kësaj shoqërie të sofistikuar u shtri për më shumë se 3.000 vjet e ndarë në tri periudha të veçanta: periudha para klasike, e cila ndryshonte nga vitet 2000 para Krishtit deri në vitin 250 pas Krishtit; periudha klasike nga 250 pas Krishtit në 900 pas Krishtit, dhe Pasklasike nga rreth 900 pas Krishtit deri në 1500.







