Vidhen në Bylis objekte antike unikale për Mesdheun

Artikujt tjerė
- Ndahet nga jeta koreografi Agron Aliaj
- Një muaj debat për pushtetin në Stacion
- Kosova me 12 festivale filmash
- Kaleshi kthehet me çmim nga Parisi për Homazh për Chaplinin
- Shpirti i traditës çon në Beograd historinë e muzikës shqipe
- Kalendari historik, 18 maj
- MASHT-i se lejon Buxhovin të flasë në Javën e Shkencës
- Deri në fund të shekullit 21 shumica e gjuhëve botërore do të zhduken plotësisht
- Moonrise Kingdom hap Festivalin e Cannes
- Violinisti shqiptar në garë për Mbretëreshën Elizabetë
Fier, 15 maj -Trashëgimia arkeologjike shqiptare është tronditur sërish, nga vjedhja e veprave me vlerë të saj. Në parkun arkeologjik të Bylisit janë grabitur pa lënë gjurmë dy 'objekte' unikale, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Mesdheun. Lajmi që "Gazeta Shqiptare" mori nga burimet e saj u konfirmua nga arkeologu Skënder Muçaj, i cili prej një jave ndodhet në këtë park si pjesë e ekspeditës shqiptaro-franceze. Muçaj thotë se janë vjedhur dy kupat prej bronzi të fiksuara në pragun e portës të shtëpisë së Terencianit, objekt ky i parkut Bylis. "Rëndësia e kupave qëndron jo vetëm tek fakti se ato i takojnë shekullit të parë pas Krishtit, po dhe tek vlerat unikale që ato kishin. Kupa të kësaj natyre janë gjetur në Lezhë, në Pompei dhe në Gjermani, por nëse në vendet e tjera është gjetur vetëm njëra kupë, ne këtu në Bylis i kishim të dyja. Për këtë arsye themi, se vlerat e tyre qenë unikale në Mesdhe", -sqaron për "Gazeta Shqiptare" arkeologu Muçaj.
Konstatimi
Ka qenë data 8 maj, kur ekspedita shqiptaro-franceze i është drejtuar Bylisit për të vijuar gërmimet e lëna përgjysmë vitin që shkoi. "Ne konstatuam menjëherë, se ato çfarë mungonin nga viti i kaluar ishin kupat prej bronzi. Është për t'u çuditur që parku arkeologjik nuk qe në dijeni të vjedhjes, ndonëse ka punonjës të parkut që kujdesen për të, por edhe roje", - na thotë Muçaj përmes linjës telefonike, pas interesimit tonë.
I pyetur nëse për këtë çështje është lajmëruar policia, ai thotë se nuk e ka të qartë. Ndërkohë që drejtori i parkut të Bylisit, Bashkim Vreka pretendon se i ka lajmëruar dhe ka bërë denoncim për ngjarjen, që prej datës 8 maj kur ekspedita gjendet në Bylis, forcat e rendit nuk janë paraqitur në vendngjarje. E nëse konstatimin për vjedhjen e ka bërë pikërisht kjo ekspeditë, atëherë policia nuk ka qenë as më parë në vendngjarje, e rrjedhimisht mendohet se hetimet për vjedhjen ende nuk kanë filluar. Kësisoj, mungesa e ndërhyrjes së shtetit do të lejojë që objektet të fshihen më së miri brenda Shqipërisë, ose të dalin po kaq lehtë jashtë saj. Nga ana tjetër, për ngjarjen është lajmëruar Ols Lafe, drejtor i Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës dhe Neritan Ceka, këshilltar i kryeministrit për trashëgiminë. Ky i fundit, sipas profesor Skënder Muçajt, ka shkuar në Bylis për të vërejtur nga afër situatën. Me gjithë këmbënguljen e gazetës, dje ka qenë e pamundur të kontaktohet drejtuesi i parkut arkeologjik të Bylisit, Bashkim Vreka, për të mësuar hollësi të mëtejshme, si për shembull: Si ka mundësi që nuk është konstatuar më parë vjedhja, por vetëm kur erdhi ekspedita? A është denoncuar rasti dhe nëse po, përse policia nuk është paraqitur në vendngjarje? A ka qenë inventarizuar në Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore objektet dhe nëse po, a iu janë kaluar policisë kartelat e tyre? Meqenëse parku ka roje, në çfarë oraresh punon roja dhe a ka vënë re ndonjë gjë të veçantë përqark? Këto pyetje do të mbeten pa përgjigje derisa të bëhet i mundur kontaktimi me z. Vreka.
Zbulimi i dy kupave prej bronzi është bërë nga ekspedita shqiptaro-franceze në vitin 2008-të, kur edhe u zbulua nga gërmimet e tyre edhe vetë shtëpia e Terencianit. "Kjo e fundit, ka qenë ndërtim luksoz për kohën, rreth 1000 metër katrorë sipërfaqe, në të cilën u gjetën dy piedestale me mbishkrime kushtuar djemve të tij, dhe një nga shtatoret e djemve", - sqaron Muçaj. Objekti qëndronte i zbuluar, sepse kishte shumë interes për turistët për shkak të vlerave unikale. I pyetur se kujt mund t'i interesojnë kupat, Muçaj thotë se larg Bylisit ato kanë pak vlerë, por gjithsesi, për koleksionistët kanë interes të madh. Kupat kanë qëndruar në Bylis që prej shekullit të parë, pra për pothuaj 20 shekuj.
Muçaj është interesuar për vjedhjen e tyre, duke pyetur punonjësit e parkut. Ka dyshime se vjedhja është kryer në datën 1 maj, por mbetet vetëm një dyshim. "Punonjësit nuk dinë të thonë më shumë se kaq, ndërkohë që drejtorin nuk e kemi takuar gjatë kësaj jave. Problemi është se kur kryhen vjedhje, paraqiten organet e specializuara dhe policia nis hetimet. Unë nuk di të jetë bërë kjo, këtu në Bylis", -përfundon Muçaj.










femka17.05.2012/12:59
vlerat arkeologjike jane shume te rendesishem per historine,vendin dhe kombin. Na bejne me autokton me krenar dhe me te fuqishem ... prandaj keto duhet ti ruajm si syte e ballit. Qofte edhe nje gure i gdhendur me mjeshtri nuk duhet hudhur dhe te zhduket, aq me teper gjesendet me figura domethenese, prandaj shume keq kur ndegjojme per kesi raste te zhdukjes apo vjedhjes, etj...