Një ish-pronar bordeli kërkon medalje në Londër

Artikujt tjerė
- Lamtumirë Londër, mirupafshim në Rio më 2016
- Sportistët amerikanë kthyen primatin me medalje
- Vaterpolo, Kroacia triumfon ndaj Italisë në finale
- E arta olimpike për hendbollistët francezë
- Reprizë e Pekinit, SHBA-ja e artë, Spanja e argjendtë
- Bolt: Erdha të bëhem legjendë, dhe u bëra
- Ugandezi Stephen Kiprotich fitues i maratonës në Londra 2012
- Londër: Atletët bashkohen në fushatën kundër urisë
- Bolt i gatshëm të garojë në kërcim së gjati
- Medalja e bronztë kursen jugkoreanët nga ushtria
Londër, 3 gusht - Rruga për në Lojërat Olimpike kushton mjaft, diçka që taekwondisti nga Zelanda e Re, Logan Campbell, e kuptoi kur u kthye në shtëpi pas humbjes së pësuar në Lojërat Olimpike të para katër viteve, "Pekini 2008".
Ai u përballë me një mal faturash të udhëtimit, veshjes, stërvitjeve, që në total kapën shifrën e 120 mijë dollarëve dhe ai nuk mund të kërkonte nga prindërit e tij që t'ia paguanin.
Lojërat Olimpike "Londra 2012" do t'i kushtonin atij edhe 200 mijë dollarë të tjerë. Atij i duheshin paratë dhe i duheshin shpejt.
Kështu që vendosi të hapi një bordel dhe e hapi.
Nuk është befasi që hapi i marrë nga Campbelli në vitin 2009 për të hapur bordel në Auckland, nuk u pëlqye nga federatat sportive të Zelandës së Re. Njerëzit që u munduan të mbrojnë imazhin e sportit në vend, nuk pëlqyen idenë që një sportist me bordel të financojë rrugëtimin në Lojërat Olimpike. Por, gjithçka ishte në rregull dhe legale, askush nuk mund ta pengonte. Në Zelandë të Re janë të ligjshme bordelet, përderisa plotësohen kushtet strikte.
Komiteti Olimpik i Zelandës së Re i dërgoi një letër Campbellit duke i thënë që të ndalojë financimin e rrugëtimit në Lojërat Olimpike me paratë e prostitucionit, përndryshe e kërcënuan me padi.
Por, diçka e pabesueshme ndodhi. Paratë u gjetën për taekwondo. Më tepër para se që kishte pranuar ndonjëherë skuadra e taekwondos e Zelandës së Re. Pasi më nuk ishte në nevojë për para, Campbell mbylli bordelin në vitin 2011.
Këtë pranverë, Zelanda e Re e ftoi atë në skuadër për LO "Londra 2012".
Ndoshta për shkak të paqes së tij të re, Campbell nuk dukej shumë i lumtur kur pyetej për biznesin e tij të vjetër. Ai është i koncentruar në stërvitje.
"Unë e kam shitur bordelin kështu që nuk dua të flas më për të", ka thënë Campbell.
Por, ai dëshiron të largojë idenë se ka bërë diçka ilegale.
"Në Zelandë të Re është biznes i ligjshëm. Është krejtësisht ndryshe nga shtetet tjera në botë", thotë Campbell.
Ai ndaloi për një moment.
"Është gjë e klasës më të lartë se që sheh nëpër botë. Mendoj se shumë njerëz nuk e kuptojnë këtë. Krahasuar me vendet si Tajlanda dhe vende të tjera të varfra, ku njerëzit nuk kanë zgjedhje tjera, pos të futen në këtë industri. Por, në Zelandë të Re është krejtësisht ndryshe, kështu që çdo gjë është në rregull", ka shtuar taekwondisti.
Campbell thotë se prindërit e tij nuk patën ndonjë kundërshtim që ai të drejtonte një bordel. Në vitin 2009, ai i kishte thënë disa mediave të Zelandës së Re se brengat e mamasë së tij janë larguar, pasi ajo është takuar me disa femra që kanë punuar në bordel.
Por, prapë një bordel është bordel. Ndërsa bordeli i Campbellit kishte 14 dhoma. Campbell e kishte quajtur nganjëherë atë edhe si "agjenci escorti". Një uebfaqe me emrin e tij dhe foto të tij me veshje të taekwondos ftonte vizitorët që të jepnin donacion për pjesëmarrjen e tij në Lojërat Olimpike.
Derisa Campbell flet tash, ai duket shumë më pak entuziast për atë punë që bënte atëkohë. Ai thotë se kurrë nuk ka mundur të imagjinojë veten të bëhet pronar i një bordeli. Këtë e kishte bërë vetëm pasi kishte kuptuar se sa para duhet të mbledh për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.
"Unë erdha në shtëpi pas Lojërave Olimpike të Pekinit dhe nuk kisha punë dhe nuk dija çfarë të bëja. Unë duhet të fitoja disa para nëse dëshiroja të merrja pjesë në Lojërat Olimpike të ardhshme, këto në Londër", tregon taekwondisti.
Pa kaluar dy vite nga hapja e bordelit, ia shiti një partneri të biznesit.
Ai nuk do të bënte më të njëjtën gjë, ndonëse nuk është pishman.
Në fakt, thotë se bordeli ka qenë gjë e mirë, duke marrë parasysh se sa pak e financuar ishte taekwondo në Zelandë të Re.
Ai tregon se si një muaj pas publicitetit të tij me bordel, paratë nisën të vinin. Ai ka treguar se si një agjenci me buxhet të madh për të shpenzuar në sport dha më tepër se 100 mijë dollarë për taekwondon.
"Jo shumë kohë pasi çështja ime u bë e madhe në media, nisën financimet për taekwondo. Ishte kënaqësi. Qëllimi u arrit", ka thënë Campbell, shkruan sot Koha Ditore.








