• Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 189 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 5 *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

“Limaku” solli trend negativ sigurie në Aeroport

Publikuar: 23.05.2012 - 14:47

Prishtinë, 23 maj – Testet e sigurisë që i janë bërë Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës në dy vitet e fundit kanë treguar për trend negativ sa i takon shkallës së sigurisë, shkruan sot “Koha Ditore”. Situata më e keqe ka dalë kur Aeroportin e ka marrë në menaxhim “Limaku”.

Një burim i gazetës brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme ka treguar të martën se vetëm një infiltrues kishte mundur të shkonte në pikën A vitin e shkuar, kur Aeroporti akoma nuk i ishte dhënë në menaxhim koncesionuesit, kompanisë turke “Limak”. Madje, infiltruesi nuk kishte armë atëherë. Sivjet, dy sish kanë mundur të shkonin në “pikën A”, siç njihet caku i synuar nga testuesit e shkallës së sigurisë. Këtë herë, një nga ta kishte mundur të kalonte të gjitha hallkat e sigurimit për të kaluar në aeroplan, duke mbajtur një armë të fshehur në trup.

“Është një trend negativ, i cili përbën shqetësim për të gjithë ne, sepse Aeroporti është një objekt me sensitivitet të lartë”, ka thënë ky burim. “Menaxhmenti i Limakut duhet të marrë masa urgjente për të ofruar sigurinë e nivelit që e kërkojnë standardet ndërkombëtare”.

Një tjetër ka theksuar se “Ministria dhe Policia janë të interesuara për ta sfiduar vazhdimisht autoritetin civil në Aeroport” dhe për t’u treguar se “nuk janë të zotët” për të ofruar sigurinë e nevojshme.

Në fillim të prillit të vjetëm, nga Qeveria i është transferuar certifikata e operimit të Aeroportit operatorit të ri, kompanisë “Limak Kosovo International Airport”. Kjo kompani, e formuar nga konsorciumi turko-francez “Limak Kosovo” dhe “Airport de Lyon”, do ta operojë aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Kosovës për një periudhë 20-vjeçare, sipas marrëveshjes për partneritet publiko-privat, me modelin e zgjedhur, të quajtur Disenjo-Financo-Ndërto-Opero-Transfero, të nënshkruar në gusht të 2010-s në mes të Qeverisë dhe kësaj kompanie.

“Limaku” ka vendosur të heshtë pas testit që i është bërë. Valentina Gara, zyrtare për informim në Aeroport, as të premten nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës dhe nuk është përgjigjur as të martën kur është pyetur për masat e marra.

Behar Selimi, ish-drejtor i Policisë dhe tani deputet në Kuvendin e Kosovës, ka shtruar nevojën që policia të marrë primatin për të ofruar siguri në Aeroport. Sipas tij, lëshimet e gjetura me rastin e testit të sigurisë, mund të jenë nga shkaku i ndërrimit të menaxhmentit të Aeroportit.

“Testimi i fundit flet për atë se perimetri i jashtëm i Aeroportit megjithatë është i brishtë. Duhet të ndërgjegjësohen autoritetet e Aeroportit për marrjen e masave në bazë të të cilave rritet kjo  siguri”, ka thënë Selimi. “Konsolidimin e menaxhmentit të ri e konsideroj si një nga faktorët që në një mënyrë e shkakton brishtësinë e sistemit të sigurisë dhe për këtë arsye mendoj se do të duhej t’i jepej Policisë autoriteti i plotë i sigurisë”.

Selimi ka treguar se në një pjesë të sigurisë së Aeroportit ka ngelur nga menaxhmenti i kaluar, është një pjesë që e ka ofruar kompania e cila e ka privatizuar Aeroportin, dhe është policia që ka përgjegjësitë shumë specifike, por të cilat, sipas tij, vazhdon t’i kryejë me profesionalizmin më të lartë. Ka thënë se edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të ketë rol në Aeroport.

“Këtu ka nevojë të rishikohet mënyra se si koordinohet puna në mes këtyre tri segmenteve, plus këtu duhet shtuar inteligjencën kombëtare, e cila do të duhej të ishte më aktive, sepse Aeroporti është siguri kombëtare”, ka thënë ky deputet i PDK-së.

Gazeta posedon një raport të Ministrisë së Punëve të Brendshme që tregon se vitin e shkuar janë kryer 20 inspektime në Aeroport. Ato kishin dy qëllime: të siguronin zbatimin e legjislacionit në fuqi, si dhe të identifikonin çdo mangësi në standardet e sigurisë dhe procedurat e aviacionit.

Në raport evidentohet e dhëna se është krijuar një plan vjetor për monitorimin e aktiviteteve që kryhen në autoritetet përkatëse, si inspektime, teste infiltruese dhe studime të sigurisë.

Edhe Komisioni Evropian kishte organizuar takim. Ngaqë takimi kishte për qëllim vlerësimin e marrëveshjes për hapësirën e përbashkët evropiane, ishin kryer inspektime në Departamentin e Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ishte inspektuar Aeroporti dhe kishte rrjedhur një vlerësim që thoshte se “Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në fushat përkatëse të sigurimit të aviacionit civil”.

Ndërkaq, në një raport të Autoritetit të Aviacionit Civil është evidentuar e dhëna se në shkurtin e vjetëm është audituar sistemi i sigurimit në nga inspektorët e këtij institucioni dhe nga inspektorët e sigurimit të aviacionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me qëllim që të verifikohej niveli i zbatimit të Programit Kombëtar të Sigurimit të Aviacionit Civil.

“Raporti i auditimit ka identifikuar 6 gjetje të cilat janë konsideruar serioze dhe është kërkuar nga ana e Aeroportit përmirësimi i tyre brenda afatit kohor prej 15 ditëve”, është thënë në raport. “Janë kryer katër inspektime pasuese në Shërbimin e sigurimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, të cilat kanë pasur për qëllim vlerësimin e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të dala nga raporti i auditimit”.

Komente (0)
1000  Karaktere
Prishtinė 19°CMe vranėsira tė pjesshme
Tiranė 19°CMe vranėsira tė pjesshme
Shkup 20°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°CRrebesh shiu