ec me kohėn
  • Sonte në KTV mund të ndiqni: *** 17:40    Express  *** 18:55    Marketing *** 19:00    LAJMET E MBRËMJES *** 19:40     Sporti në KTV *** 20:05    Rubiko *** 21:15    Serial: “ LALE ”  epis. 189 *** 22:20    Dokumentar: E Përkryera te Plastika - epis 5 *** 22:55 Marketing *** 23:00    Interaktiv  ...

Faqezinjtë e popullit

Armend Mazreku Publikuar: 16.05.2012 - 22:09


Në njëfarë kuptimi, deputetët e pushtetit edhe kanë gabuar, sepse nuk mund të votosh gjatë tërë kohës ligje të dëmshme për vendin, të miratosh negociata të pandërprera me Serbinë, të miratosh kundërmocione të pashembullta në historinë parlamentare dhe njëherë në jetën tënde, sall njëherë si deputet Kuvendi, të votosh një mocion të vetëm që është në interesin e Republikës

Deputetët e pushtetit bënë një gabim të llahtarshëm: votuan një mocion që kushtëzon për herë të parë bisedimet me Serbinë. Sipas këtij mocioni, pra, Qeveria e Kosovës nuk guxon, madje në asnjë rrethanë të mundshme, të vazhdojë dialogun pa marrë paraprakisht sinjale të qarta për vendndodhjen e atyre që janë edhe plaga më e madhe dhe më e rëndë e (pas)luftës – të pagjeturit.

Mirëpo, me t’u miratuar një mocion i tillë, deputetët e pushtetit e kuptuan shpejt e shpejt hatanë e këtij mocioni dhe kërkuan menjëherë prapakthimin e tij.

Dhe, ç’arsyetim dhanë?

“Nuk e kemi ditur”, -  zukatnin gjatë gjithë kohës dhe dërdëllitnin.

Por, në qoftë se nuk e kanë ditur herën e parë, shtrohet pyetja prej ciniku, kush mund të më garantojë mua se herën e ardhshme do të dinë të votojnë? Shikuar edhe me thellë sa kaq, nëse vërtet nuk e kanë ditur se çfarë kanë votuar, për një mocion që edhe filloristët do të mund ta kuptonin, si mund ta dinë që nuk e kanë ditur dhe, mbi të gjitha, si mund ta dinë se ajo që tashmë e dinë është plotësisht e drejtë, ndërkaq ajo që mendonin se e dinin ishte e gabuar?

Por, në njëfarë kuptimi, deputetët e pushtetit edhe kanë gabuar, sepse nuk mund të votosh gjatë tërë kohës ligje të dëmshme për vendin, të miratosh negociata të pandërprera me Serbinë, të miratosh kundërmocione të pashembullta në historinë parlamentare, dhe njëherë në jetën tënde, sall njëherë si deputet Kuvendi, të votosh një mocion të vetëm që është në interesin e Republikës. Aq keq kanë punuar këta deputetë kundër interesave të shtetit, pra, saqë tash edhe veprimi më i vogël në shërbim të interesit të përgjithshëm konsiderohet si i gabuar!

Andaj, veprimet dhe vendimet “e gabuara” të deputetëve, gjykuar sipas parimeve të interesit të përgjithshëm, janë përherë të drejta dhe të dobishme. Ndërkaq, veprimet dhe vendimet e tyre “të drejta”, gjykuar po sipas të njëjtave parime, janë gjithherë të gabuara dhe të dëmshme. 

Kështu që, unë lutem për ju, që të bëni edhe më shumë gabime.

Sepse, Kuvendi, nga një instancë përfaqësuese e vullnetit të përgjithshëm, siç edhe duhet të jetë, në fakt, është shndërruar në instancë tjetërsuese e po këtij vullneti.

Dhe, deputetët e Kuvendit, po ashtu, në vend që të jenë ‘përfaqësues të popullit’, siç edhe u ka ënda të identifikohen, janë shndërruar në ‘faqezinj të popullit’.

E, ju trutharë e kokëshkretë, “mos mendoni se politika nuk ka moral, mos mendoni se politikanët dhe burrat e shtetit mund të jenë jashtë moralit dhe jashtë gjykimit moral. Punë është të përcaktohet se cilit moral u përkasin veprimet e tyre: moralit të shëndetshëm, qytetar, apo moralit të prishur, egoist, individual” (Plutarku). 

Ndërkaq, e tëra që unë mund të bëj, por jo vetëm kaq, është një lutje e vetme: “Ndëshkoji Popull, se e dinë çfarë bëjnë”!

 

Komente (4)

muhameti fr17.05.2012/09:26

po kta tradhtart jan qe edhe nluft ikan ... bashkluftaret e vet po kta tradhtaret e kombit jan qe edhe pas lufte ... n kundershtart polotik dhe deshten edhe kryetarin historik ta ... sinqe qe ekanjoht ter bota per qeshtjen kombtare dr Ibrahim rugova tash ne pushtet bejn qmos qe te rrin ne pushtet dhe votojn kunder interesave kombtare po kta jan thojn ni fjal popullore ujku qimen e ndrron por zanatin se harron

kaqandolli17.05.2012/09:11

Budalla e zgjedh kasapin vet.Ne ket rast populli i ka zgjedh vet deputetet.suksen ne zgjidhjet e ardhshme

femka17.05.2012/08:03

nje fjale e popullit thote per me njoft diken se cfare eshte jepi pak pushtet. Keshtu ndodhi me PDK, po shifet se nuk eshte e afte ta qoje vendin perpara. Po deshton ne qeshtjet me te medha. Ne demokraci paaftesia ose faji duhet pranuar e jo ti hudhet dikujt tjeter...

stupci16.05.2012/22:45

Gomaret e Popullit i kisha quajtur, gjithnje duke iu kerkuar falje Gomareve te vertet per nje krahasim te tille

1000  Karaktere
Prishtinė 15°CKryesisht me vranėsira
Tiranė 15°CKryesisht me vranėsira
Shkup 17°CMe vranėsira tė pjesshme
Prishtinė19°C
Tiranė19°C
Shkup26°C