Irani konfronton realitetin
Javier SolanaNë samitin e të painkuadruarve në Teheran, realiteti e tradhtoi perceptimin që Irani u zotua ta krijonte me nikoqirllëkun e tij. Në vend të kësaj, fjalimi i presidentit egjiptian, Mohamad Morsit, e shënoi momentin më të paharrueshëm të ngjarjes. Ndërsa kërkimi bërthamor i Iranit mbetet një realitet që nuk duhet injoruar në tre vjetët e ardhshëm të rëndësishëm, kur Republika Islamike do ta udhëheqë NAM-in, ndërsa mbetet vetë një prej problemeve më serioze të agjendës ndërkombëtare
Madrid Kush nuk e ka parë se si duket uji në një magjistrale, gjatë një dite të nxehtë verore? Apo një imazh tredimensional që aktualisht ishte një fotografi mbi një sipërfaqe të sheshtë? Natyrë e iluzionit është që të na bëjë ta ngatërrojmë atë që e perceptojmë si realitet.
Kjo gjë është e vërtetë, pa marrë parasysh nëse iluzioni është njohës apo politik. Varësisht nga ajo se si një ngjarje e veçantë zhvillohet, ajo mund të na çojë drejt formulimit të interpretimeve të gabuara të asaj që faktikisht është duke ndodhur.
Perceptime të tilla shpesh imponohen nga idetë dhe përvojat e mëparshme. Dhe, siç Robert Jervis e kishte argumentuar në librin Perceptimi dhe keqperceptimi në politikat ndërkombëtare, botuar gjatë Luftës së Ftohtë, iluzionet që ne krijojmë kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në vendimmarrje duke u shndërruar madje edhe në një shkas fundamental për konflikt.
Deri në një nivel të caktuar, kjo është ajo që ndodhi me analizat e Samitit të paradokohshëm të 16-të të Lëvizjes së të Painkuadruarve, të mbajtur në fund të gushtit në Teheran të parën herë që Irani bëhet nikoqir i një takimi. Samiti u mbajt përkundër progresit tejet të paktë të negociatave me Iranin mbi programin e tij bërthamor dhe presionit në rritje nga Izraeli që komuniteti ndërkombëtar të krijojë një këmbëz një linjë të cilën Republika Islamike nuk do të guxonte ta kalojë.
Për më tepër, tensionet rajonale e përforcuan perceptimin e rëndësisë së samitit të NAM-it dhe atë të nikoqirit. Në Lindjen e Mesme, vetëm Irani dhe Hezbollahu e mbështesin regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, në luftën civile që duket se po i afrohet pikës pa kthim dhe destabilizimit të Libanit dhe Jordanit.
NAM-i luajti një rol të rëndësishëm gjatë Luftës së Ftohtë. Vizioni i tij ishte formësuar nga betejat e fundit të pavarura të shumë prej shteteve të anëtarëve, ndërsa agjenda e saj promovoi sovranitet kombëtar, mosndërhyrje, një rebalancim të marrëdhënieve Veri-Jug dhe mbështetje për lëvizjet kombëtare të çlirimit.
Mirëpo realiteti i atij NAM-i unik të së kaluarës ka ndryshuar. Strukturat bipolare qeverisëse të Luftës së Ftohtë dhe periudha pasuese e unilateralizmit amerikan ndaj të cilit shtetet e paintegruara tentojnë të veprojnë si një kundër-balancë kanë hapur rrugën për një botë tejet më komplekse dhe të ndërvarshme multipolare. Derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa ende luftojnë të tejkalojnë krizën serioze ekonomike, shumë shtete të NAM-it, si India, Kili dhe Singapori ia kanë dalë të shënojnë rritje relativisht të fuqishme dhe të formojnë një pjesë të strukturave të reja globale qeverisëse, siç është G-20-ta.
Gjithashtu, shumë prej problemeve me të cilat përballemi tani qoftë ndryshimet klimatike, kriza financiare, sfidat e zhvillimit, terrorizmi apo zgjerimi bërthamor reflektojnë ndërvarshmërinë globale në rritje. Për menaxhimin e tyre në mënyrë efektive, obligohemi që ta rishqyrtojmë konceptin e sovranitetit.
Këto ndryshime kanë transformuar jo vetëm strukturat tradicionale të pushtetit, por edhe motivin kryesor të NAM-it dhe fatin e anëtarëve të saj. Globalizimi ka ushqyer pabarazitë edhe më të mëdha në mesin e anëtarëve të saj vetëm krahasojeni Kolumbinë me Afganistanin, apo Kilin me Sudanin të cilat e kanë bërë më të vështirë transformimin e dukshëm të numrave në një ndikim koherent.
Ndikimi i samitit të Teheranit dhe fakti se kujt mund ti ketë sjellë përfitim, nuk është plotësisht i qartë. Irani qartazi e ka konsideruar takimin si një mundësi propagande, duke premtuar një mbulim të gjerë media në kohën kur vet ishte në dytë e të gjithë uraganeve të mundshëm diplomatikë. Mirëpo paaftësia e pjesëmarrësve për të marrë një qëndrim të përbashkët pozitiv për programin bërthamor të nikoqirit të tyre apo dhunës në Siri dy nga çështjet fundamentale që e konfrontuan samitin qartazi minoi përpjekjen e Iranit për të demonstruar se, përkundër përballjes me sanksione të rënda ekonomike dhe diplomatike, mbetet një aktor efektiv ndërkombëtar.
Në të vërtetë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, kritikoi Iranin se nuk po e siguron botën se nuk synon të prodhojë armë bërthamore në kohën kur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike kishte publikuar një raport, i cili sugjeronte se në fakt këtë po e bënte.
Dhe, në një fjalim përplot intensitet, Mohamed Morsi, presidenti i parë i Egjiptit që e viziton Iranin që nga lindja e Republikës Islamike në vitin 1979, kundërshtoi ashpër regjimin sirian, siç bëri edhe në një paraqitje të mëparshme, para Ligës Arabe. Për më tepër, Morsi e nxiti Iranin që ti bashkohet Egjiptit, Turqisë dhe Arabisë Saudite që të tria shtete me shumicë sunite në kërkimin e një transicioni politik në Siri (një rol ky, të cilin opozita siriane e hodhi poshtë, përpara se Irani të mund të thoshte jo).
Me fjalë të tjera, realiteti e tradhtoi perceptimin që Irani u zotua ta krijojë me nikoqirllëkun e samitit të NAMI-it. Në vend të kësaj, fjalimi i Morsit e shënoi momentin më të paharrueshëm të ngjarjes. Ndërsa kërkimi bërthamor i Iranit mbetet një realitet që nuk duhet injoruar në tre vjetët e ardhshëm të rëndësishëm, kur Republika Islamike do ta udhëheqë NAM-in, ndërsa mbetet vetë një prej problemeve më serioze të agjendës ndërkombëtare.
(Javier Solana ishte ministër i Jashtëm i Spanjës, sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe përfaqësues i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Ai është aktualisht kryetar i Qendrës për ekonomi globale dhe gjeopolitika ESADE dhe një anëtar i lartë i Institutit Brookings. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese Project Syndicate, pjesë e të cilit është edhe Koha Ditore).







