Kryeministrit që nuk iu hapën dyert
Faton TopalliNjë vizitë private dhe e turpshme për Kosovën. Hashim Thaçi, kryeministri që nuk e priti askush. U fsheh edhe nga bashkatdhetarët e tij
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ministrin e Ekonomisë, Besim Beqaj, dhe zëvendësministrin e Jashtëm, Petrit Selimi, kanë qëndruar gjatë fundjavës së kaluar në Zvicër. Kryeministri Thaçi ka marrë në Gjenevë titullin Doctor Honoris Causa të Shkollës së Gjenevës për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, një shkollë private, ndërsa sipas portalit Albinfo ai është takuar edhe me një grup biznesmenësh zviceranë.
Vizita e Thaçit në Zvicër, përjashtuar zhurmën mediale në mjetet publike të informimit në Kosovë, kaloi pa u regjistruar fare. I vetmi medium informativ në Zvicër që u interesua për vizitën e kryeministrit ishte portali digjital Albinfo. Albinfo botoi një njoftim për ardhjen e kryeministrit në Zvicër dhe një intervistë me të.
Qeveria dhe mediat zvicerane bojkotojnë Thaçin
Vizita e delegacionit të lartë të Kosovës në krye të të cilit ishte kryeministri, ishte një vizitë private. Ndryshe ska si të shpjegohet fakti që kryeministri dhe delegacioni i tij nuk u pritën nga asnjë zyrtar i Zvicrës. Vizita e kryeministrit nuk u regjistrua nga mediat vendase. Ai thjesht u bojkotua. Ky udhëtim privat nuk i solli asnjë dobi politike shtetit të Kosovës. Përkundrazi vizita e Thaçit në Zvicër solli një mesazh të keq. Mesazhin që i pari i Kosovës është i padëshirueshëm në Zvicër. Dhe kjo në vendin ku jetojnë më shumë se 200 000 shqiptarë me të cilin Kosova ka shumë nevojë dhe shumë arsye për të mbajtur kontakte të mira dhe për të ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera.
Marrëdhënie të ftohta me Zvicrën
Kryeministri i Kosovës, pavarësisht qëndrimit të tij pozitiv karshi Konfederatës Zvicerane, nuk gëzon reputacion të mirë në këtë vend. Në periudhën pas luftës ai është akuzuar nga shtypi zviceran duke rënduar kështu shumë reputacionin e Republikës së Kosovës.
Në një vend për të cilin ai pretendon të ketë edhe personalisht marrëdhënie të mira, siç deklaroi në Albinfo, duket paksa e habitshme që prej përfundimit të luftës e deri tani të ketë vizituar Zvicrën vetëm dy herë dhe herën e dytë privatisht. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me refuzimin e Vizës që iu bë kryeministrit në fillim, por me qëndrimin e diplomacisë zvicerane karshi kryeministrit si person.
Investoi për ta rregulluar reputacionin
Zvicra ka mbajtur qëndrim pozitiv ndaj Kosovës dhe proceseve që janë zhvilluar atje, një qëndrim të cilin nuk e ka mbajtur edhe karshi kryeministrit. Sipas deklaratës së Thaçit për Albinfo, ai do ta vizitojë së shpejti Zvicrën edhe zyrtarisht. Nëse ndodh kjo pas gjithë atyre që janë shkruar dhe thënë për kryeministrin si në qarqet politike ashtu edhe ato mediale, atëherë kjo do të ndodhë si shpërblim për punën që ai bëri duke nënshkruar marrëveshje të cilat favorizojnë interesat e Zvicrës dhe dëmtojnë interesat e shtetasve të Kosovës në këtë vend.
U fsheh nga bashkatdhetarët
Hashim Thaçi është azilanti më i njohur shqiptar në Zvicër, pavarësisht se zviceranët e njihnin për të keq, ndërsa shqiptarët për të mirë. Shumë mërgimtarë nga Kosova krenoheshin dikur me kryeministrin. Kjo tani ka ndryshuar. Kryeministri i Kosovës, edhe pse tha shumë fjalë të mira në Albinfo për mërgimtarët nga Kosova, bëri shumë punë të këqija për ta. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrëveshjet e kryeministrit në dëm të tyre me Zvicrën, por edhe me plaçkitjet që u bëhen atyre në kufi në emër të kartonit të gjelbër. Këto duhet të jenë arsyet pse kryeministri nuk u duk askund para mërgimtarëve shqiptarë.









xhevdet grainca04.07.2012/21:05
z.faton topalli ju e matet veten ne zgjedhjet per kryetar ferizajit,nuk fitohet imazhi duket folur per te tjeret edhe te pa verteta por duke treguar se qka ju po beni keshtu frigohem se as deri te vije koha e pensionit nuk do te keni shanse per me bind askend si ju si koleget na vv