Shpërthejnë debate rreth shtatores së Ismail Qemalit

Artikujt tjerė
- Shpërthejnë debate rreth shtatores së Ismail Qemalit
- Zgjerohet harta e zbulimeve arkeologjike në Shqipëri
- Kthimi i Blerta Zeqirit shkon në në Brazil
- Kullës së Shaban Polluzhës për katër muaj vetëm themelet
- Panairi i Ulqinit, pa botues nga Kosova
- Qelitë e ish-burgjeve studio të artistëve
- Çezma dyshekullore do të mbetet pjesë e sheshit Ibrahim Rugova
- Kalendari historik, 10 gusht
- Shtatorja e Hasan Prishtinës në Kosovë për 100 vjetorin e pavarësisë
- Sivjet më 12 gusht, si para 100 vjetësh
Tiranë, 10 gusht - Skulptorët e kundërshtojnë idenë që statuja e Ismail Qemalit, e realizuar nga Odhise Paskali në vitin 1981, të vendoset në lulishten pranë Kuvendit, shkruan Shqip. Sipas tyre, kjo statujë, e konceptuar që në fillim nga skulptori i njohur për interier (ambient i mbyllur), nuk mund të qëndrojë në një lulishte e të konsiderohet si shtatore. Skulptori Muntaz Dhrami e ka cilësuar absurd një vendim të tillë. Edhe Pjerin Kolnikaj, i tërhequr nga ky konkurs, pasi ka refuzuar të prezantojë një variant të dytë, nuk pajtohet me mendimin që varianti fitues i dalë nga ky konkurs (i skulptorit Veli Blakçori) të vendoset në Muzeun Historik Kombëtar. Nuk mund të diskutojmë për vlerat artistike që përcjell statuja e Odhise Paskalit, por pas shumë vitesh, është e nevojshme të jetë një skulptor tjetër që të sjellë konceptimin e tij mbi këtë figurë, shprehet Kolnikaj. Në parim as skulptori Thoma Thomai nuk është dakord me idenë që vepra e realizuar nga Paskali të vendoset në lulishten e cila u mendua për veprën që do të dilte nga konkursi i realizuar për këtë 100-vjetor, por nuk dëshiron ti komentojë këto vendime.
Komiteti Shtetëror për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë doli të martën me vendimin që statuja e Ismail Qemalit e Odhise Paskalit që ndodhet në pavijonin e pavarësisë në Muzeun Historik Kombëtar, do të vendoset në lulishten që kufizohet nga bulevardi Dëshmorët e Kombit dhe rruga Ismail Qemali, ndërsa varianti fitues i skulptorit nga Kosova, Veli Blakçori, në Muzeun Kombëtar. Blakçori, i kontaktuar nga gazeta, ishte në dijeni të vendimit vetëm për aq sa ishte transmetuar në media, ndërsa dje ka qenë i pranishëm në Tiranë. Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i tij ndaj këtij vendimi, por ndërkohë është e pasqaruar se si do të zgjidhet institucionalisht shpërngulja e statujës së Ismail Qemalit nga Muzeu Historik Kombëtar, ku qëndron prej 31 vitesh. Nga ana tjetër, skulptori Hektor Dule, pjesë e komisionit të ngritur nga Galeria Kombëtare e Arteve për të gjykuar mbi bocetet e konkursit të çelur për këtë 100-vjetor të Pavarësisë, nuk sheh ndonjë pengesë specifike për vendosjen e statujës së Paskalit në lulishten pranë Kuvendit.
Në parim skulptorët kanë të drejtë, sepse një vepër realizohet në raport me vendin, distancat, pikat e vështrimit, objektet përreth etj. Por në këtë rast nuk do të kemi të bëjmë me dimensione që nuk përshtaten, sepse statuja e Ismail Qemalit, realizuar nga Paskali, shkon rreth 3 metra. Nuk është e thënë që meqenëse është konceptuar për një ambient të brendshëm, të mos qëndrojë në eksterierë. Kjo gjë mund të zgjidhet me ndërhyrjen e arkitektit, i cili krijon një dhomë natyrore në atë lulishte që do të nxjerrë në pah edhe mashtabin (lartësinë) e statujës, thekson Dule. Sipas tij, e rëndësishme është kualiteti i veprës, duke shpjeguar se vendimi është i kuptueshëm, pasi asnjë nga bocetet e paraqitura në konkurs nuk plotësonte parametrat artistike të kërkuara prej jurisë. Meqenëse Ismail Qemali i Paskalit është një figurë statike, arkitekti mund të krijojë një mbështetje natyrore. Koncepti i Paskalit për statujën ishte ti jepte prioritet pamjes ballore. Në këtë pikëpamje mund ta justifikojë vendosjen në eksterier, ka theksuar Dule.
Ndërkohë mbetet për tu parë sesi do të veprohet me përmasat e variantit fitues të Veli Blakçorit, shpërblimin artistik dhe fondin që do të vihet në dispozicion të realizimit të këtij monumenti.










