Ska ligj për organizimin e zgjedhjeve serbe nga OSBE

Artikujt tjerė
- Ska ligj për organizimin e zgjedhjeve serbe nga OSBE
- Mbi 400 milionë euro humbje nga kontrabanda në veri
- Bllaca pohon se urdhrat për vrasje i jepnin të mëdhenjtë
- Zgjedhjet presidenciale më 2013, jo edhe të përgjithshmet
- Pavarësia e pambikëqyrur, pa veriun
- EULEX-i të ndihmojë, jo të ndërhyjë
- Arrijnë trupa shtesë të KFOR-it
- Presidentja Jahjaga në drekë pune me ambasadorë të vendeve të BE-së
- Presion politik e ekonomik mbi mediet e Kosovës
- Brunei Darussalam njohu pavarësinë e Kosovës
Prishtinë, 26 Prill - Kur kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë deri në datën kur Serbia mban zgjedhje, misioni i OSBE-së në Kosovë nuk e kanë idenë se si do të lehtësojë organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, për çka është pajtuar kryeministri i Kosovës, por jo edhe presidentja.
Burime të gazetës kanë thënë se OSBE-ja po pret kërkesë nga institucionet e Kosovës, por Presidenca, institucioni që vendos për zgjedhjet në Kosovë, pret kërkesë nga OSBE-ja.
Zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu, ka përsëritur qëndrimin e mëhershëm se presidentja nuk ka marrë kërkesë.
Zyra e presidentes së Republikës së Kosovës nuk ka marrë asnjë kërkesë nga misioni i OSBE-së për lehtësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve me shtetësi të dyfishtë në votimet për zgjedhjet parlamentare/presidenciale të Republikës së Serbisë, ka thënë Vllahiu, kur është pyetur se a do të lejohet që OSBE-ja të lehtësojë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje.
Megjithatë, Vllahiu e ka lënë mundësinë të hapur që presidentja të pranojë këtë angazhim, nëse i bëhet një kërkesë dhe kjo në bazë të obligimeve kushtetuese që i ka marrë Kosova. Sipas tij, e gjithë procedura e angazhimit të OSBE-së do të ishte më e lehtë sikur Serbia ta njohë realitetin e krijuar në Kosovë.
Institucionet e Republikës së Kosovës angazhohen për respektimin e këtyre normave, por nuk mund të lejojnë organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të Republikës së Kosovës. Do të ishte më e lehtë sikur Republika e Serbisë ta kishte njohur realitetin dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe të vendoste marrëdhënie diplomatike me Kosovën, që do të mundësonte edhe hapjen e ambasadës, e ku do të mund të kryhej procesi i votimeve për shtetasit me shtetësi të dyfishtë, ka thënë Vllahiu.
Angazhimi i OSBE-së është pranuar javë më parë nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai ka thënë se do të lejohet organizimi i tillë i zgjedhjeve të shtetit fqinjë. Sipas tij, OSBE-ja me qendra lëvizëse të votimit do të mbledhë votat e serbëve për parlamentin dhe presidentin e Serbisë dhe do t`i dërgojë në shtetin fqinjë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë, ende nuk ka filluar kurrfarë përgatitjesh për angazhimin. Ne nuk kemi ende informacione për këto çështje. Do tju informojmë posa të informohemi, ka përsëritur të mërkurën zëdhënësi i këtij misioni Nikola Gaon.
Gazeta ka mësuar se në bazë të normave dhe rregullave ndërkombëtare votimi i qytetarëve me dyshtetësi, për zgjedhjet parlamentare ose presidenciale të vendit tjetër, bëhet në ambasadat e vendit tjetër në vendin ku jetojnë, ose nëpërmjet postës.
Në botë njihen edhe disa praktika, kur shteti që mban një komunitet të madh nga një vend tjetër, u mundëson atyre që nëpërmjet organizatave të organizojnë zgjedhjet. Por një praktikë ë tillë, që po pretendohet të përdoret kësaj radhe në Kosovë bëhet vetëm pasi që shteti që mban zgjedhjet t`i bëjë kërkesë zyrtare autoritetit që vendos për zgjedhjet në shtetin ku pretendohet të bëhen organizime të tilla. Në këtë mënyrë, organizimi i zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë nga OSBE-ja, do të duhej të mundësohej vetëm pasi që autoriteti që i ka shpallur ato në Serbi, t`i drejtohet me një kërkesë Presidencës së Kosovës.
Zyrtarë ndërkombëtare, në kushte anonimiteti, i kanë thënë gazetës se misioni nuk e ka idenë se si do t`i dalë në krye kësaj pune, kur kihet parasysh se afati deri në mbajtjen e zgjedhjeve të shtetit fqinj është më pak se tri javë. Nuk dihet ende se çfarë lista të votimit do të përdoren në zgjedhjet që do t`i lehtësonte OSBE-ja. Në bazë të Kushtetutës së vet, Republika e Serbisë, konsideron se të gjithë banorët e Kosovës janë qytetarë të saj, dhe në këtë mënyrë lista të votimit nuk do të kishin vetëm banorët serbë nëpër lokalitete, por edhe shumica shqiptare në Kosovë.
Çështje tjetër, ende e padefinuar sipas burimeve është se cili do të jetë kriteri që OSBE-ja do të përdorë për të dërguar ose jo një qendër votimi në një lokalitet te caktuar.








